Abdixhiku paralajmëron rikthimin e Osmanit: Koha për bashkim të institucionalistëve në LDK

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përsëritur sot mesazhin e tij për bashkim, pas deklaratës së mbrëmshme se presidentja Vjosa Osmani ka “derën e hapur” në LDK.

Abdixhiku tha se tani është koha për bashkimin e institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë atyre që udhëtojnë në rrugën euroatlantike.

Kryetari i LDK-së paralajmëroi nisjen e një bashkimi të madh politik dhe qytetar rreth një projekti të përbashkët, që tejkalon dallimet personale dhe hidhërimet e së shkuarës.

“Koha kërkon bashkim. Të institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë udhëtarëve të rrugës euroatlantike. Të gjithë këta kanë një shtëpi të përbashkët, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Prandaj, do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët. Një projekti që tejkalon secilin prej nesh. Që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet e mëdha dhe hidhërimet e së shkuarës. Ato në kohë krizash e përballë fateve të mëdha të së ardhmes, bëhen krejtësisht të parëndësishme. Dramat e sotme, krizat e përvitshme dhe fajësimet e pandalshme po e shterojnë Kosovën. Vendit i duhet një tjetër rrëfim. Një rrëfim që bashkon, që normalizon jetën politike, që zhvillon shtetin dhe e ankoron përgjithmonë në Perëndim”, shkroi ai.

Artikuj të tjerë

Back to top button