Ndërron jetë 25-vjeçarja në Istog – dyshohet se u plagos me armën zyrtare të bashkëshortit polic

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Istog, ku një grua e re ka humbur jetën pasi ishte plagosur me armë zjarri.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur për Sinjalin se më 20.02.2026 rreth orës 16:00, nga Emergjenca e Istogut është pranuar informacion për një person të plagosur me armë zjarri.
Viktima është identifikuar si Leonora Maxharraj Shoshi 25 vjeçare, bashkëshortja e zyrtarit policor Valdrin Shoshi, i cili shërben në Njësinë Speciale Operative (NJSO) në Mitrovicë. Dyshohet se ajo është plagosur në pjesën e abdomenit me armën zyrtare të bashkëshortit.
Sipas stafit mjekësor, 25-vjeçarja iu nënshtrua menjëherë ndërhyrjes kirurgjike emergjente, por përkundër përpjekjeve maksimale të ekipit mjekësor, ajo nuk arriti të mbijetojë dhe u konstatua e vdekur rreth orës 19:00.
Rastin po e heton Njësiti i Hetimeve Rajonale në Pejë, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie.



