12 persona sulmohen nga serbët pasi hynë me flamurë në Mitrovicën e Veriut, Elshani jep detaje

12 persona, prej tyre 10 të mitur, janë ndaluar nga Policia e Kosovës mbrëmjen e sotme pasi që dyshohet se me vetura, që kishin simbole kombëtare kanë hyrë në qytetin e Mitrovicës së Veriut.
Lajmin për Arbresh.info e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për veriun, Veton Elshani.
Elshani bëri të ditur se të njëjtit persona janë sulmuar me gurë nga disa qytetarë serb.
“Janë ndaluar 12 persona, 10 të mitur, dyshohet se me flamura shqiptarë kanë hy Mitrovicë të Veriut. Dyshohet se disa serbë më pas i kanë sulmu me gurë. I kemi ndalu dy vetura, në njerën veturë kanë qenë pesë të mitur. në veturën tjetër kanë qenë shtatë persona. Ende nuk ka ndonjë vepër, përveç për patent shofer e kundërvajtje në trafik, për ketë punë jemi duke u marrë me ta”, ka thënë ai.
Elshani tha se gjatë ditës së sotme, janë angazhuar që në pjesën veriore mos të ketë provokime me rastin e festimit të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
“Nuk ka vepër për përdorimin e flamurave, por për këto çështjet e kundërvajtjes. Deri sa t’i sqarojmë disa situata që kanë ndodhur. Tani jemi duke e trajtu ketë rast, pasi që personat janë të mitur”, tha Elshani./Arbresh.info