
Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan në flagrancë shtetasen A. P., 30 vjeçe, banore e Prishtinës, për kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë dhe drejtim automjeti në gjendje të dehur.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:50 gjatë natës së 21 qershorit, kur Forca e Posaçme “Shqiponja” ndaloi për kontroll automjetin me drejtues shtetasin E. P., 23 vjeç.
Pas dyshimeve për drejtim mjeti në gjendje të dehur, shtetasit iu kërkua të kryente testin e alkoolit, i cili rezultoi me 0.48 mg/l. Ai refuzoi testin e dytë sipas procedurës standarde.
Në këtë moment, në vendin e ngjarjes mbërriti me një automjet tjetër motra e tij, shtetasja A. P., e cila kundërshtoi me dhunë punonjësit e policisë duke penguar kryerjen e detyrës. Gjatë kontrollit, edhe ajo rezultoi pozitive për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, me 0.38 mg/l.
30-vjeçarja u shoqërua në ambientet e Komisariatit Nr. 1, ku gjatë qëndrimit në dhomën e shoqërimit ka goditur me grushte xhamin e dritares, duke e thyer atë.
Pas përfundimit të veprimeve, ajo u arrestua për veprat penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të
parregullt”.
Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme.
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale për këtë rast, Policia e Shtetit sqaron se nuk është ushtruar dhunë ndaj shtetases A. P. apo ndaj vëllait të saj, dhe se punonjësit e Policisë kanë zbatuar procedurat standarde pa ushtruar dhunë.