
Raketat tona mund të Godasin Europën. Ishte ky kërcënimi i Ambasadorit të Iranit në Zyrën e Kombeve të Bashkuara Ali Bahreini në Gjenevë që erdhi këtë të premte në një prononcim te tij për mediat ndërkombëtare.
Bahreini deklaroi se ushtria Iraniane do të godasë çdo infrastrukture ushtarake që përdoret nga Shtetet e Bashkuara për të sulmuar Iranin.
“Le të jem i qartë: forcat tona ushtarake kanë shpallur një politikë sipas së cilës çdo objekt apo bazë që përdoret për të sulmuar Iranin do të jetë një objektiv i ligjshëm për forcat tona”, tha ai.
I pyetur nëse kjo mund të përfshijë edhe baza në Europë, diplomati iranian u përgjigj se vendi i tij do të veprojë për të mbrojtur sigurinë kombëtare. “Ne do ta mbrojmë vendin tonë sipas asaj që është e nevojshme për ta bërë atë të sigurt dhe për t’u siguruar që nuk do të ketë agresion ndaj nesh”, u shpreh Bahreini.
Deklaratat nga Zyrtari i Larte i Teheranit kane ardhur ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në javën e tij të tretë dhe tensionet po rriten në disa vende të rajonit.
Në intervistën e tij Ambasadori Iranian në selinë e OKB ne Gjeneve kritikoi gjithashtu sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, duke i quajtur ato shkelje të së drejtës ndërkombëtare, ndërsa mohoi akuzat se Irani ka shënjestruar objektiva civile në vendet e Gjirit. Ai deklaroi se të gjithë sulmet e ndodhura ndaj vendeve fqinje kishin shënjestruar baza ushtarake të armiqve.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se përfundimi i luftës do të kërkonte njohjen e të drejtave legjitime të Iranit, pagesën e dëmshpërblimeve dhe garanci ndërkombëtare kundër agresioneve të ardhshme. Pavarësisht këtyre deklaratave paqja nuk duket e afërt në Lindjen e Mesme pasi Irani ka shënjestruar në dhjetëra sulme vendet e Gjirit dhe ka tejkaluar me Raketat e tij edhe Hapësirën ajrore të NATO-s duke shënjestruar të paktën tri herë Turqinë, një vend anëtar të Aleancës Veri Atlantike .



