JORGE LUIS BORGES: NË GJITHË TRUPIN MË DHEMB NJË GRUA
Është dashuria. Duhet të fshihem ose të marr arratinë.
Si në një ëndërr mizore, ngrihen muret e burgut të saj.
E hirshmja maskë ka ndryshuar, por si gjithmonë është e vetmja.
E për çfarë do të më vlejnë hajmalitë mua: përdorimi i shkronjave,
erudicioni i mugët, mësimi i fjalëve që përdori Veriu i ashpër
për të kënduar detet dhe shpatat e tij,
miqësia e pastër, galeritë e bibliotekave, gjërat e rëndomta,
zakonet, dashuria fëmijërore e sime mëje, hija luftarake e të vdekurve të mi,
nata e pakohë, shija e ëndrrës?
Të jem apo të mos jem me ty, është përmasa e kohës sime.
Tani shtamba thyhet në gurrë, tani njeriu me zërin e shpendit ngrihet,
tani ata që këqyrin nga dritarja janë hijesuar, por hija nuk e sjell paqen.
E di, dashuria është: ankthi dhe qetësia që të dëgjoj zërin tënd,
pritja dhe kujtesa, tmerri i të jetuarit në të pastajmen.
Është dashuria me të sajat mitologji, me të sajat të vogla magji të kota.
Është një kryqëzim ku s’marr guximin të kaloj.
Tani ushtritë më rrethojnë, hordhitë.
(Kjo dhomë nuk është reale; ajo nuk e ka parë)
Më kallëzon emri i një femre.
Në gjithë trupin më dhemb një femër.
*Titulli i origjinalit: I kërcënuari
Përktheu nga spanjishtja: Erion Karabolli