A e la LDK përjashtimin e Xhafer Tahirit pas balotazhit? Qe çka thotë Statuti i LDK-së

Neni 30 i Statutit të LDK-së shprehimisht ndalon që një kryetar i një dege të partisë të mund të hyjë në koalicione para-dhe-pas zgjedhore me parti tjera me vullnet dhe autoritet më vete; dhe pa pëlqim të kryesisë qendrore të partisë. Kjo fuqi, sipas dokumentit më të lartë të LDK-së, i takon Kryesisë 23 anëtarëshe që udhëhiqet nga Kryetari i LDK-së. Këtë rregull doli ta ketë shkelur me dy këmbë Xhafer Tahiri i LDK-së në Vushtrri, i cili, nënshkroi “koalicion” në Vushtrri në emër të LDK-së me Vetëvendosjen e Albin Kurtit, dhe në prani të këtij të fundit. E pagëzuan për koalicion valid dy-partiak kundër kandidatit të PDK-së për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Tahiri tha se ishte “kthim borxhi” ndaj Vetëvendosjes, të cilët, sipas tij, ndihmuan LDK-në në vitin 2017. Dhe, tash, reciprokimi. Për më tepër, u zbardh se Tahiri s’i ka njoftuar strukturat e partisë as në nivelin lokal, por thjesht disa asamblistë të zgjedhur. LDK-ja e dënoi për veprim “pa vlerë”, “të pa autorizuar”, dhe të sanksionueshëm në Statutin e LDK-së. Xhafer Tahiri, megjithatë, me çka dihet deri tash, nuk është përjashtuar nga LDK, veprim ky i cili në germë dhe frymë të Statutit të kësaj partie, mund të jetë konsekuencë e natyrshme. Por, thanë nga LDK, vendimi merret pas garës së raundit të dytë. Vëllau i Tahirit, në anën tjetër, kërcënoi me komente në Facebook se për përjashtimin e Xhafir Tahirit “duhet me pas k***”.

Çka për Tahirin, sipas Statutit të LDK-së?

Neni 13, paragrafi 1 dhe Nenin 14, paragrafët 1(c), 3–6 të Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, parashohin masa disiplinore kundër anëtarëve që veprojnë në kundërshtim me Statutin, Programin ose vendimet e organeve kompetente të partisë, duke përfshirë ata që mbështesin ose hyjnë në koalicione me subjekte të tjera politike pa autorizim. Në Neni 14 të Statutit, Komisioni mund të sanksonojë me pezullim nga të gjitha funksionet partiake për një periudhë prej dymbëdhjetë (12) muajsh dhe largimit nga pozicioni i Kryetarit të Degës së LDK-së. Aty specifikohet që gjatë periudhës së pezullimit, anëtari nuk mund ta përfaqësojë LDK-në në asnjë aktivitet politik ose institucional, as nuk do të marrë pjesë në organet vendimmarrëse të partisë në asnjë nivel. Kjo masë vendoset “me qëllim të respektimit të Statutit, ruajtjes së unitetit të vendimmarrjes së partisë dhe ruajtjes së autoritetit institucional të organeve kombëtare të LDK-së”. Kjo, sigurisht, vetëm një lexim paraprak, se çka parashihet në Statut, në çka LDK paralajmëroi se do bazojë veprimet e mëtutjetshme ndaj Tahirit.

Çka tha LDK-ja?

Mëngjesin e sotëm, Xhafer Tahiri i LDK-së në cilësinë e avokatit mbrojtës shkoi në seancë gjyqësore me të akuzuarin për korrupsion, Faruk Mujkën e Lëvizjes Vetvendosje. Pak orë pas përfundimit të seancës, një lajm i bujshëm bashkë me pamje e fotografi, erdhi nga qyteti i Vushtrrisë, ku z.Tahiri, u pa duke nënshkruar marrëveshje koalicioni me kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Vushtrrisë, z.Sylejman Meholli. Fotografia ku prapa dyshes dukej edhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, zuri në befasi edhe vetë partinë e z.Tahiri, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pas një mbledhje që kjo parti mbajti në kontekstin e situatës së krijuar në Vushtrri, nëpërmjet një njoftimi për media thotë se ‘LDK nuk ka autorizuar asnjë koalicon lokal’.

“Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë e vet dhe publikun e gjërë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë” – thuhet në njoftimin e LDK-së. Sipas LDK-së, veprimet e Tahirit, janë ‘individuale’ dhe se ‘nuk kanë ndonjë vlerë’.

Lutfi Haziri, “e papritshme”

Të papritshme e ka vlerësuar Lutfi Haziri, Nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, vendimin e Xhafer Tahirit të LDK-së për të nënshkruar koalicion me Vetëvendosjen në Vushtrri. Përçarje nga Albin Kurti, e vlerësoi mes tjerash, Lutfi Haziri.

“Nuk ka qenë e pritshme, është në kundërshtim me politikat e LDK-së. Është veprim i njëanshëm dhe vetë kryetari i partisë sot ka lëshuar deklaratë, ku secili prej neve i përmbahemi atij zotimi”, ka deklaruar Haziri për Gazetën Blic. “Albin Kurti nuk është ndalë që nga 9 shkurti. Kjo metodë politike, edhe në rastin e Vushtrrisë sot, edhe në raste tjera, është metoda e përçarjes”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button