BallinaZgjedhjet 2025

Abdixhiku: LDK po kthehet në fuqi, premton investime për Kosovën nga Bllaca e Suharekës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një tubim me qytetarë në Bllacë të Suharekës.

Nga aty, kreu i LDK-së ka premtuar 5 miliardë euro investime, me 5 miliardë euro buxhet e me 5% rritje ekonomike. 

“Me këtë tubim, kaq masiv, në një vend kaq simbolik, ju i paskeni dhënë kushtrim uraganit të fitores sonë të madhe. I paskeni dhënë vulën e shumëpritur, se Lidhja Demokratike e Kosovës është ngritur tashmë në këmbë, është kthyer tashmë në rrënjë. Dhe në këmbë e në rrënjë, LDK është e pandalshme”.

“Si lëvizja më e madhe historike shqiptare, e kemi për detyrë, e kemi për obligim, e kemi për mision indentitar, të shtrojmë jo vetëm dorën e përbashkimit me njerëzit e Kosovës, me ata të harruarit e të lënë në mëshirën e fateve ditore, por të shtrojmë Rrugën e Re përpara, për vet Republikën e Kosovës, shtetin që e bëmë ne!

“Ne nuk duam të ankohemi, ne duam të punojmë. Të punojmë fort e me përkushtim, me dije e duke dhënë përgjegjësi përpar jush. Prandaj, në programin tonë politik, kemi 5 miliardë euro investime, me 5 miliardë euro buxhet e me 5% rritje ekonomike. Përmes këtij programi, garantojmë jetë të mirë në Kosovë. Prandaj, në javën e parë, pra në javën e parë, të gjithë shërbyesve publikë në Kosovë – mësuesve, mjekëve, policëve, zjarrfikësve, ushtarëve, të gjithë punëtorëve të shtetit – do t’ua rrisim pagat, me koeficient 150.

Për të gjithë qytetarët tanë, që bredhin të shqetësuar, tek kërkojnë shërim nëpër botë, për të gjitha familjet tona të frikësuara, këtu, në Kosovë, do të ndërtojmë Spitalin e Ri të Kosovës, me plot 500 milionë euro investim. Spital i ri, lokacion i ri, ndërtesa të reja, pajisje të reja – shëndetësi moderne, ashtu siç e meriton vendi ynë i bukur.

“E për të gjithë fëmijët e Kosovës, ata që qëndrojnë sot 4 orë në shkollë, Lidhja Demokratike e Kosovës, do të sigurojë mësim gjithëditor. Ushqim të ngrohtë, klasa moderne, tabela digjitale e mësimnxënie moderne, ashtu siç kemi bërë në Prishtinë, do të bëjmë fillimisht në 5 komuna e më pas në krejt Kosovën. Për prindërit tanë, për fëmijët tanë, për familjet tona, LDK do të themelojë për herë të parë, Ministrinë e Familjes dhe Mirëqenies, sipas modeleve Perëndimore. Sepse, për ne, të djathtit, familja është e shenjtë. Sepse, për ne, të djathtit, investimi në familje është investim në Kosovë. Prandaj, për çdo të porsalindur në Kosovë, për secilin të porsalindur në Kosovë, shteti ynë do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e vitit të parë. Për të rinjtë tanë, ata që janë në prag të mbledhjes së valixheve e ikjes nëpër botë, kemi Programin Kombëtar për trajnime në teknologji. Plot 40 mijë të rinj e të reja, në katër vjet, do të përfitojnë nga ky program trajnimi, që u jep edhe paga të larta, edhe vende të sigurta edhe qëndrim në Kosovë”, deklaroi Abdixhiku.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button