Abdixhiku paralajmëron padi për raportimet e fundit për biznesin e gruas së tij

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka paralajmëruar padi ndaj raportimeve të fundit për biznesin e gruas së tij .
Abdixhiku deklaroi se raportimet e fundit janë të pavërteta.
“Natyrisht që, në ditë zhvillimesh me interes kombëtar, aktivizohen grupet parapolitike me shpifje. Në këtë aktivizim, përmes rrjeteve të tyre të lidhura me shantazh dhe presion, ata nuk hezitojnë të përfshijnë edhe anëtarë të familjeve.
Sot, kanë përfshirë edhe bashkëshorten time, Albinën, me pretendime të pavërteta për “përfitime politike” e “tregti me energji elektrike”. Sa lehtë shpifet këndej!
Si një zonjë e pavarur dhe profesionale që është, ajo më ka njoftuar se nesër do të ngrejë padi gjyqësore ndaj shpifësve. E mbështes plotësisht, moralisht dhe njerëzisht, në këtë betejë. Njëkohësisht, i kërkoj ndjesë që për shkak të angazhimit tim politik, ajo dhe familja e saj, tash e tre dekada punë, detyrohen të përballen me këtë gjuhë urrejtjeje dhe baltosjeje mercenare.
E kuptoj se në botën e errët ku jetojnë këta njerëz përplot mllef e urrejtje, përpjekja për të përbaltur këdo është mënyrë ekzistence. Por një gjë e kam kuptuar qartë gjatë kësaj kohe: sa më larg prej tyre, sa më përballë me ta, aq më i drejtë është qëndrimi yt. Një nga gabimet më të mëdha dhe më të pafalshme të karrierës sime ka qenë pikërisht afrimi me ta – mendërisht, se asesi ndryshe.
Jam i bindur se Albina, si humaniste që është, çdo mjet të fituar nga kjo betejë gjyqësore do ta dedikojë për një kauzë fisnike në Kosovë.”, shkroi Abdixhiku.



