Abdixhiku: Vrasja e Kolonelit ishte një plagë e rëndë, një dhimbje e pashuar për kombin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku përkujton Kolonel Ahmet Krasniqin, në 27 vjetorin e vrasjes së tij. Ai ka thënë se Ahmet Krasniqi nuk ishte vetëm një ushtarak profesionit por edhe një vizionar i çlirimit, strateg i organizimit, intelektual i rrallë dhe misionar i pavarësisë.
“Shtatori i vitit 1998 u bë i kobshëm me lajmin për vrasjen e Kolonel Ahmet Krasniqit, atdhetarit të shquar dhe intelektualit të pashoq. Vrasja e Kolonelit ishte një plagë e rëndë, një dhimbje e pashuar për kombin. Por jeta dhe vepra e tij u ngritën mbi çdo akt kriminal, mbi çdo errësirë, duke mbetur përjetësisht dritë dhe udhërrëfyes i historisë sonë. Kolonel Ahmet Krasniqi nuk ishte vetëm një ushtarak profesionist. Ai ishte vizionar i çlirimit, strateg i organizimit, intelektual i rrallë dhe misionar i pavarësisë. Me besimin e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, Komandantit Suprem të Republikës së Kosovës, ai u emërua Ministri i parë i Mbrojtjes. Në atë detyrë madhështore, Koloneli vuri themelet e ushtrisë së Kosovës, duke e bërë realitet organizimin strategjik, logjistik e ushtarak, dhe duke siguruar arsenal për luftën e lirisë”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Më tej është shkruar se “Emri i tij mbetet gurë-themel i krijimit të shtetit të Kosovës i cili vuri bazat e themelimit të vijës institucionale ushtarake të Republikës së Kosovës; si Ministër i parë i Mbrojtjes. Ai për meritat për luftën dhe çlirimin e vendit është shpallur Hero i Kosovës. Dija, përvoja dhe guximi i tij ishin vlera të rrugëtimit tonë për liri, pavarësi dhe demokraci. Kështu do të vazhdoj të mbes, pra si Hero gjithmonë gjersa mbi këtë tokë të flitet e të jetohet shqip. Ne sot nuk e kujtojmë vetëm si të kaluarën tonë të lavdishme, por edhe si frymëzim të gjallë për brezat që vijnë. Ai na mësoi se liria fitohet me guxim, se shteti ndërtohet me përkushtim, dhe se atdheu mbrohet me jetën”.
Në njoftimin që ka publikuar LDK, Abdixhiku e thekon se vrasja e Kolonel Krasniqit ishte humbje e madhe për kombin tonë. “Vrasja e tij ishte humbje e madhe për kombin tonë, e kjo thellohet edhe më tej nga mos zbardhja e këtij akti kriminal. Por, sot nuk përkulemi përballë dhimbjes, por ngrihemi krenarë përballë sakrificës së tij. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Kolonel Ahmet Krasniqit!””, përfundon njoftimi.