Afati për deklarim të pasurisë drejt fundit

Gjatë ditë së sotme, uebfaqja e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka pasur probleme teknike, pikërisht në ditën kur është edhe afati i fundit i zyrtarëve publikë për ta deklaruar pasurinë.
Sipas drejtorit të këtij institucioni, Yll Buleshkaj, të gjithë zyrtarët janë njoftuar nëpërmjet postës elektronike edhe për aplikacionin që e ka ky institucion. Ndërkaq, për zyrtarët, të cilët i vonojnë apo nuk i deklarojnë pasuritë, do të ketë gjoba dhe masa të tjera të përcaktuara me ligj.
Ligji për Deklarim të Pasurisë parasheh që rreth 5 mijë zyrtarë, të cilët obligohen të deklarojnë pasurinë e tyre, ata këtë deklarim duhet ta bëjnë atë deri sot më datë 31 mars 2025, në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Në të kundërtën ata do të përballen me gjoba e kallëzime penale.
Megjithatë në ueb-faqen e Agjencisë për Parandalim të Korrupsionit gjatë të hënës janë evidentuar probleme. Por në një përgjigje me shkrim nga RTK, drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj ka thënë se këto pengesa nuk kanë paraqitur problem në proces.
“Procesi i deklarimit të pasurisë nuk është penguar asnjë moment, pavarësisht disa ndërprerjeve të shkurtra të ueb-faqes së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (ëëë.apk-rks.net), të cilat mund të kenë ndodhur për shkak të ngarkesës. Kjo për faktin se, për arsye sigurie, sistemi i deklarimit të pasurisë nuk është i ndërlidhur me ueb-faqen, por funksionon përmes aplikacionit të dedikuar: https://e-deklarimi.rks-gov.net, i cili ka qenë operacional gjatë gjithë kohës”, ka thënë Buleshkaj.
Ai ka sqaruar se në fillim të procesit, të gjithë zyrtarët publikë janë njoftuar me email, për qasjen direkte në aplikacionin e deklarimit. Ai ka bërë të ditur se deri pasditen e së hënës deklarimin e pasurisë e kanë përfunduar 9 mijë e 102 zyrtarë, ndërsa 713 janë ende në proces.
Zyrtarët të cilët nuk arrijnë të deklarojnë në mënyrë të rregullt pasurinë e tyre do t’i nënshtrohen gjobave të mëposhtme: Nëse zyrtari i lartë ose zyrtari publik e dorëzon deklarimin e pasurisë me vonesë deri në 15 ditë, do të paguajë gjobë deri në 500 euro
Nëse një zyrtar i lartë ose zyrtari publik e dorëzon deklarimin e pasurisë me vonesë prej më shumë se 15 ditësh ose deklaron në mënyrë të rreme pasurinë e tij/saj, Agjencia do t’ia referojë çështjen Prokurorisë dhe Gjykata mund ta dënojë zyrtarin me burgim deri në pesë vjet, ndërsa çdo pasuri e pa raportuar do të konfiskohet
Gjithashtu, Gjykata do të shqiptojë një dënim shtesë me ndalim të ushtrimit të funksionit publik nga 1 deri në 10 vjet pas vuajtjes së dënimit me burgim dhe, nëse është e aplikueshme, Gjykata mund të ndalojë të drejtën për t’u zgjedhur në post publik për 1 deri në 4 vjet.