AGK: Mosvazhdimi i kontratave në RTK “ka të gjitha shenjat e një vendimi hakmarrës për gazetarët”

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ashpër pas vendimit të menaxhmentit të Radio Televizioni i Kosovës për të mos vazhduar kontratat e punës me dy gazetaret Hana Marteti dhe Edina Avdiu, duke e cilësuar këtë veprim si të dëmshëm, hakmarrës dhe goditës për besimin e publikut në transmetuesin publik.

“AGK-ja shpreh shqetësim për mosvazhdimin e kontratave të dy gazetareve në RTK”, thuhet në reagim, ku theksohet se Asociacioni “është thellësisht i shqetësuar për vendimin e menaxhmentit të Transmetuesit Publik, RTK për të mos vazhduar kontratat e punës për dy gazetare, Hana Marteti dhe Edina Avdiu”.

AGK-ja e lidh drejtpërdrejt mosvazhdimin e kontratave me profesionalizmin dhe qëndrimin editorial të gazetareve. “AGK-ja konsideron se mosvazhdimi i angazhimit të tyre në RTK, lidhet direkt me punën e tyre profesionale dhe mosgatishmërinë për t’iu nënshtruar presionit dhe për të bërë kompromise në raportim profesional”, theksohet në reagim, duke ngritur dyshime se vendimi nuk ka të bëjë me performancën, por me refuzimin për t’u dorëzuar ndaj presioneve.

Në deklaratë nënvizohet se mënyra se si është marrë vendimi, dhe rrethanat përreth tij, krijojnë përshtypjen e një veprimi të paramenduar dhe ndëshkues. “Mosvazhdimi i kontrateve pa vlerësimin e punës i ka të gjitha shenjat e një vendimi të planifikuar më parë dhe hakmarrës për gazetaret, duke përfshirë faktin që menaxhmenti ishte në dijeni për shtatzëninë e zonjës Avdiu”, thuhet më tej.

Artikuj të tjerë

Back to top button