
Një ndërhyrje policore gjatë orëve të hershme të mëngjesit ka çuar në arrestimin e 12 personave në Junik, nën dyshimin për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Ngjarja ka ndodhur më 12.02.2026 rreth orës 02:00, në lagjen Gaxherr, ku njësitet policore kanë bastisur një objekt – ish lokal – brenda të cilit dyshohet se po zhvillohej aktivitet ilegal i lojërave të fatit.
Sipas të dhënave, të dyshuarit janë: Arlind Gjocaj, rreth 32-vjeçar, Elton Idrizaj, rreth 21-vjeçar, Agron Aliaj, rreth 37-vjeçar, Arbër Kuqi, rreth 30-vjeçar, Bekim Husaj, rreth 51-vjeçar, Eliot Pukaj, rreth 23-vjeçar, Bajram Shaboviq, rreth 50-vjeçar, Arbër Fetaj, rreth 26-vjeçar, Erijon Gaxherri, rreth 21-vjeçar, Sahit Kurama, rreth 38-vjeçar, Elton Krasniqi, rreth 26-vjeçar dhe Agnez Binaku, rreth 40-vjeçar.
Burimet bëjnë me dije se arrestimi është kryer mbi dyshime të arsyeshme dhe prova të siguruara se brenda objektit po organizoheshin lojëra fati në kundërshtim me ligjin.
Gjatë kontrollit në lokacion, Policia ka sekuestruar në cilësi të provave materiale: para të gatshme në vlerë prej 1 mijë e 40 euro, letra bixhozi, çipa pokeri, si dhe dëshmi tjera relevante që ndërlidhen me rastin.
Të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor Junik, ku janë intervistuar nga njësitë hetimore. Pas intervistimit, me aktvendim të Prokurorit të rastit, ndaj të gjithë 12 personave është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të aktivitetit dhe identifikimin e personave të tjerë eventualisht të përfshirë.
Burimet janë të besueshme, nga strukturat e afërta me hetimin.SINJALI
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



