Aktakuzë ndaj një hetueseje policore në Prishtinë për keqpërdorim të informatës zyrtare

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj një hetueseje policore me inicialet F.B, nën dyshimin për keqpërdorim të informatës zyrtare.Sipas njoftimit të prokurorisë, aktakuza është ngritur nga Departamenti për Krime të Rënda, Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, për veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”.

Sipas aktakuzës, e pandehura në cilësinë e hetueses policore në ekipin për Hetimin e Personave të Zhdukur dyshohet se ka keqpërdorur informatat zyrtare në të cilat kishte qasje për shkak të detyrës së saj. Prokuroria thotë se, me kërkesë të një miku të saj me inicialet A.P, ajo është kyçur përmes llogarisë zyrtare në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës dhe ka siguruar të dhënat personale dhe të kaluarën kriminale të një personi me inicialet F.M.

Sipas aktakuzës, këto të dhëna ajo ia ka dërguar përmes aplikacionit WhatsApp personit A.P. i cili më pas dyshohet se i ka publikuar ato në një emision televiziv më 20.12.2025, me qëllim diskreditimin e personit të dëmtuar.

Prokuroria ka bërë të ditur se do të vazhdojë punën në mbrojtjen e rendit juridik dhe luftimin e dukurive negative, me theks të veçantë në mbrojtjen e informatave konfidenciale që kanë ndikim në jetën e qytetarëve.

Artikuj të tjerë

Back to top button