Akuza të rënda brenda LDK-së në Mitrovicë, Agolli: Përjashtime selektive para Kuvendit

Një përçarje e thellë ka shpërthyer brenda degës së LDK-së në Mitrovicë, vetëm pak ditë para mbajtjes së Kuvendit të partisë, ku janë ngritur akuza të rënda për përjashtime selektive dhe mungesë totale transparence në procesin e përzgjedhjes së delegatëve.

Delegati i LDK-së nga Mitrovica, Armend Agolli, i cili ishte edhe kandidat për kryetar të kësaj komune, ka reaguar publikisht duke deklaruar se është përjashtuar nga pjesëmarrja në Kuvend pa asnjë sqarim zyrtar. Sipas tij, përveç tij janë përjashtuar të paktën edhe tre delegatë nga Mitrovica, si dhe disa të tjerë nga degë të ndryshme të vendit.

Agolli bën të ditur se Kuvendi i LDK-së pritet të mbahet më 31 dhjetor, ndërsa paralajmëron se procesi aktual i përzgjedhjes së delegatëve po zhvillohet në mënyrë selektive, pa kritere të qarta dhe pa transparencë, duke rrezikuar seriozisht legjitimitetin dhe besimin në procesin partiak.

“Kur nis përzgjedhja selektive e delegatëve, pa transparencë dhe pa kritere të qarta, procesi rrezikon të humbë legjitimitetin dhe besimin”, ka shkruar Agolli.

Ai ka parashtruar tri kërkesa konkrete:

  • arsyetim me shkrim për largimin e tij dhe të delegatëve të tjerë,
  • publikimin e listës së plotë të delegatëve dhe kritereve të përzgjedhjes/verifikimit,
  • trajtim të barabartë për të gjithë, pa presion dhe pa filtrim politik.

Në reagimin e tij, Agolli thekson se LDK-ja nuk mund të forcohet përmes përjashtimeve, por vetëm përmes rregullave të qarta, transparencës dhe ndërtimit të besimit të brendshëm.

Ngjarja ka ngritur dyshime serioze për eliminim të qëllimshëm të delegatëve të konsideruar “të padëshiruar”, në një moment kritik për partinë, duke thelluar krizën e brendshme në një nga degët e saj më të rëndësishme.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, LDK-ja dhe strukturat e saj zyrtare nuk kanë dhënë asnjë reagim lidhur me këto akuza. Çështja pritet të ndiqet në vazhdim.

Artikuj të tjerë

Back to top button