Asgjësohen mbi 146 mijë produkte të falsifikuara për higjienën e gojës

Dogana e Kosovës ka asgjësuar 146 mijë e 886 copë sprej për higjienën e gojës të falsifikuara, të cilat mbanin në mënyrë të paautorizuar markat tregtare “Coca-Cola”, “Fanta” dhe “Sprite”.
Këto mallra janë sekuestruar në Prishtinë nga Dogana pas identifikimit të dyshimeve për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe pas verifikimeve të kryera në bashkëpunim me autoritetet kompetente dhe bartësit e të drejtave,
Pas përfundimit të procedurave ligjore, gjykata kompetente ka marrë vendim për asgjësimin e tyre.
“Produktet e falsifikuara, veçanërisht ato që lidhen me higjienën dhe përdorimin personal, mund të paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve, pasi nuk i nënshtrohen kontrolleve të standardeve të sigurisë dhe cilësisë. Për këtë arsye, asgjësimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe nën mbikëqyrje doganore, me qëllim parandalimin e vendosjes së tyre në treg”, thuhet në njoftimin e doganës.
“Ky veprim dëshmon përkushtimin e Doganës së Kosovës në luftimin e tregtisë së paligjshme, mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e një tregu të drejtë dhe të sigurt”.



