Asllani: Kemi bërë realitet një gjë të vështirë

Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Kristjan Asllani, është shprehur i lumtur pas fitores ndaj Andorrës, ndeshje në të cilën ai shënoi golin vendimtar. Më shumë se për realizimin personal, Asllani theksoi se gëzimi i tij lidhet me faktin që Shqipëria siguroi plejofin për kualifikim në Kupën e Botës.
“Është historike, jemi të lumtur sepse Shqipëria nuk kishte arritur asnjëherë në këtë situatë. Kemi ndeshje me Anglinë dhe duhet të bëjmë ndeshje serioze. Për ne është kjo natë historike. Stadiumi ndaj Anglisë do të jetë plot dhe jemi të lumtur, por duhet të bëjmë ndeshje serioze dhe do të luajmë për ta fituar ndeshjen. Anglia ka skuadër të fortë dhe do të jetë e vështirë”, tha Asllani pas ndeshjes.
Mesfushori i Interit bëri të ditur se golin ia dedikon babait të tij.
“Ia dedikoj babait tim, sepse ka bërë sakrificë të madhe për mua”, u shpreh ai.
“Po mendoj vetëm për këtë fitore dhe kemi bërë realitet një gjë të vështirë”, tha mesfushori kuqezi.



