Avokati Ardian Bajraktari: Kuvendi dhe Qeveria e re po veprojnë në mënyrë “atipike”

Avokati Ardian Bajraktari ka komentuar thirrjen e seancës së Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë, duke e cilësuar procesin si “atipik” dhe të karakterizuar nga mungesa e transparencës e e vullnetit politik.

Në një reagim në rrjete sociale, Bajraktari tha se, ndonëse seanca është thirrur për nesër, mbetet e diskutueshme nëse Kuvendi është apo jo i konstituuar në mënyrë të rregullt.

Sipas tij, e gjithë kjo legjislaturë është shoqëruar me vendimmarrje të pazakonta dhe procese që kanë ngritur dilema juridike e kushtetuese.

“Ka qenë atipike për mungesë transparence, për mungesë vullneti dhe herë-herë edhe guximi për të reflektuar në raport me peshën e përgjegjësisë së të zgjedhurve,” ka shkruar ai.

Bajraktari përmendi edhe tre vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se as kjo e fundit nuk ka arritur ta qartësojë plotësisht situatën politike dhe ligjore, ndonëse, siç tha ai, normat janë “mjaftueshëm të qarta”.

Ai po ashtu iu referua çështjes së përfaqësimit të komunitetit serb në Kryesinë e Kuvendit, e cila aktualisht ndodhet në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Sipas tij, mungesa e një mase të përkohshme pezulluese nga Gjykata ka bërë që procesi të vazhdojë me caktimin e mandatarit dhe thirrjen e seancës.

“Mungesa e marrëveshjeve politike dhe rrjedhimisht e numrave (të paktën publikisht) e formëson këtë legjislaturë si atipike. Prandaj, kjo legjislaturë siç u nis, ashtu me shumë gjasa edhe po përmbyllet,” ka përfunduar Bajraktari, duke e mbyllur reagimin me shprehjen popullore “Dita e mirë shihet me mëngjes”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button