Bastisje në Dubravë: Parandalohet futja e narkotikëve dhe telefonave nga të dënuarit

Njësitë e Sigurisë së Qendrës Korrektuese të Dubravës, në bashkëpunim me njësinë K9, kanë kryer një bastisje të qëllimshme rreth orës 17:00, duke parandaluar një tentativë për kontrabandim brenda institucionit.
Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar se disa të dënuar, duke shfrytëzuar programin e punësimit jashtë institucionit, kanë tentuar të fusin substanca të dyshuara narkotike, telefonë dhe suplemente të ndryshme.
“Gjatë këtij operacioni është parandaluar tentativa e disa të dënuarve, të cilët, duke shfrytëzuar programin e punësimit jashtë institucionit, kanë tentuar të fusin në mënyrë të kontrabanduar substanca të dyshuara narkotike, telefona, dhe suplemente të ndryshme brenda institucionit.”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Tutje, njoftuan se materialet e dyshuara janë konfiskuar, ndërsa për rastin është njoftuar Policia e Kosovës për ndërmarrjen e procedurave të mëtejme ligjore.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në zbatimin e masave të rrepta të kontrollit dhe sigurisë, me qëllim parandalimin e çdo veprimi të kundërligjshëm dhe ruajtjen e rendit, sigurisë dhe disiplinës brenda institucioneve korrektuese.”, thuhet në fund të njoftimit.