Baton Haxhiu, pro vazhdimit të Sheshit: Njerëzit janë të shëndosh, hipin në veturë për 3 kilometra rrugë

Një polemikë gati pesë minutëshe zhvilluan të mërkurën në mbrëmje dy publicistët Baton Haxhiu e Dugagjin Gorani, për çështjet e komunikacionit dhe zgjerimit të sheshit në Prishtinë.

Haxhiu dhe Gorani debatuan mbi çështjet e transportit dhe komunikacionit në kryeqytet.

Fokus i përplasjes ishte elementi i Sheshit (ish-Rrugës) ‘Xhorxh Bush’, i cili është bërë çështje, pothuajse primare, e fushatës së kandidatëve për kryetar të Komunës së Prishtinës. Kryetari aktual Përparim Rama ka premtuar vazhdimin e sheshit deri te Rrethi i Flamurit, në hyrje të zonës urbane të kryeqytetit. Uran Ismaili i PDK-së është zotuar ta hapë rrugën ‘Xhorxh Bush’.

Për Dugagjin Goranin, sheshi ‘Xhorxh Bush’ duhet të riformësohet në rrugë.

“S’kam nevojë me e ripërsërit qëndrimin tim. Unë mendoj që ajo rrugë që është mbyll, duhet me u hapë”, tha Gorani.

Haxhiu e kundërshtoi idenë e ri-formësimit të sheshit ‘Xhorxh Bush’. Tha se ajo duhet të qëndrojë e mbyllur. Tha se duhet të zgjerohet sheshi.

“Unë e kisha çu rrugën e mbyllur deri te rrethi i flamurit. Këtë e kisha bërë se nuk shkohet prej Ulpianës deri te Kuvendi me veturë në punë. Nuk ka nevojë Ulpiana të shkojë me vetura. Jo, sepse vetura është fetish i panevojshëm i secilës familje që i ka nga katër vetura”, tha publicisti Haxhiu.

Sipas Haxhiut, banorët e Prishtinës janë të shëndosh sepse e përdorin veturën për distanca shumë të shkurtra.

“A e di pse njerëzit janë të shëndosh? Sepse hipin në veturë për 3 kilometra”, theksoi Haxhiu.

Për Goranin, çështja e komunikacionit zgjidhet përmes një transporti funksional publik.

“Unë mendoj që ka qenë gabim me mbyll, meqenëse para se të mbyllësh rrugë duhet të krijosh alternativa – jo vetëm të mbyllësh rrugë e t’u thuash njerëzve, gjinduni. Kështu duke mbyll rrugë e duke u thënë njerëzve ‘gjinduni’, pastaj po ke probleme në trafik prej njerëzve që po humbin durimin e nervat, e po rritet shkalla e krimit për shkak të mosmenaxhimit infrastrukturor”, sipas Goranit.

Artikuj të tjerë

Back to top button