Bëhet dorëzim pranimi i detyrës, nga sonte Albulena Haxhiu u.d e Presidentit

Nga sonte, Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje do të jetë ushtruese e detyrës së Presidentit të Kosovës, pas ceremonisë ku e mori zyrtarisht këtë detyrë nga Vjosa Osmani.
Ceremonia u zhvillua në zyrën e presidentit, me Haxhiun që shkoi atje me lule.
“Ju dëshiroj mirëseardhje zonja kryetare e Kuvendit, dhe nga sonte në mesnatë edhe u.d e presidentit të republikës së Kosovës.
Ka qenë dëshirë që ta lë një grua mbrapa në këtë zyrë, dhe kjo dëshirë po më plotësohet. Uroj që ta ngrehni kamën zhag, që edhe pas jush të jetë një grua në këtë zyrë.
Kur unë kam ardhë në zyrë, kanë qenë rrethana të jashtëzakonshme. Sot po iu lë pas një punë të jashtëzakonshme, do të kemi mundësinë të flasim përgjatë takimit për shumë procese. Kemi këtu një numër të folderave me, vetëm 1 për qind të punës, sa për të filluar, që e mbulojnë edhe politikën e jashtme dhe pjesën e drejtësisë, mbrojtjes dhe fusha të tjera” – tha Osmani.
Tutje, ajo ka shtuar se kjo nuk është një detyrë e lehtë të jesh kryeparlamentare dhe ushtruese e detyrës së presidentit të vendit.
“Nuk do të jetë punë e lehtë, edhe unë i kam provuar të dyja pra të jem edhe kryeparlamentare dhe ushtruese e detyrës së presidentës. Sa do që të dy detyrat kanë sfidat e veta, të jesh kreu i shtetit njëkohësisht të udhëheqësh detyrën e jashtme të vendit dhe ushtrinë e vendit dhe shumë detyra të tjera janë përgjegjësi e jashtëzakonshme për të cilat ju dëshirojmë sukses, dhe njëkohësisht shpresojmë që së shpejti Kuvendi i Republikës së Kosovës ta zgjedh presidentin apo presidenten e re”.
Ndërkohë, Haxhiu në presidencë u shpreh:
“Sigurisht që për Kosovën është e rëndësishme që të kenë në institucione me njerëz me integritet të lartë, moral dhe profesional, dhe që në secilin vendim e kanë parasysh shtetin dhe qytetarin.
E kuptoj përgjegjësinë dhe zotohem që do të veproj në përputhje me legjislacionin në fuqi. E dijmë që kjo pozitë mbahet jo më shumë se 6 muaj, por unë uroj që sa më parë të zgjifhet presidenti apo presidentja, sepse rrethanat që presin pastaj, me theks te zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë të mira as për qytetarët, duke pasur parasysh punët që kemi para vetës.
Bëjë thirrje te deputetët e Kuvendit të Kosovës që sa më parë të ketë një zgjidhje për presidentit, t’i lënë anash inatet, dallimet politike dhe t’i vazhdojnë ato pasi ta kryejnë këtë obligim kushtetues. Por, deri atëherë do të angazhohem plotësisht që përgjegjësitë e presidentit t’i kryej me seriozitetin më të lartë”.



