
Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, bën të ditur se ka dorëzuar një ankesë zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke e akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shkelje serioze të ligjit zgjedhor, rapoton KosovaPress.
Sipas Haxhiut, ligji parasheh që fletëvotimet me postë të pranohen vetëm deri më 29 dhjetor 2025, ora 16:00, ndërsa KQZ, sipas tij, ka pranuar dhe numëruar mbi 23 mijë vota që kanë mbërritur pas këtij afati.
Ai ka theksuar se kjo nuk është çështje teknike, por shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit, duke shtuar se asnjë vendim administrativ nuk mund të ndryshojë afatet ligjore.
Haxhiu ka deklaruar se kjo paligjshmëri ka pasur pasoja konkrete në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve, ndërsa ka theksuar se nuk po kërkon privilegj, por zbatim të barabartë dhe strikt të ligjit për të gjithë.
Kjo paligjshmëri ka prodhuar pasoja konkrete. Ka ndikuar në ndarjen e mandateve dhe në renditjen e kandidatëve. Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë dhe strikt të ligjit për të gjithë. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë. Pa ligj, nuk ka zgjedhje të ndershme”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Bekim Haxhiu kandidat për deputet nga radhët e PDK-së mori mbi 21 mijë vota sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ani se Haxhiu ishte i 20-i më i votuari në PDK, nuk siguroi vend në Kuvendin e Kosovës si rrjedhojë e kuotës gjinore.



