Borë me intensitet të lartë në Qafë Thore të qarkut të Shkodrës

Reshje dëbore me intensitet të lartë po bien në Qafë Thore të Qarkut të Shkodrës, duke krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor.

Sipas njoftimit të Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARrSh), në terren po punohet me dy borëpastruese njëkohësisht për të mbajtur rrugën të hapur dhe të kalueshme.

Aktualisht, qarkullimi vijon pa probleme, por autoritetet paralajmërojnë se reshjet pritet të vazhdojnë me intensitet gjatë gjithë natës.

Sipas ARrSh-së, kjo situatë mund të sjellë vështirësi si në lëvizjen e mjeteve, ashtu edhe në punën e borëpastrueseve.

Grupet e punës dhe mjetet ndodhen në gatishmëri të plotë, ndërsa drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregojnë kujdes maksimal dhe të pajisen me zinxhirë.

“Ju lutemi tregoni kujdes maksimal në trafik. U bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes, të pajisen me zinxhirë kur udhëtojnë drejt këtij aksi dhe të ndjekin udhëzimet në terren”, u tha në njoftimin e ARrSh-së. 

Artikuj të tjerë

Back to top button