Caktimi i datës së zgjedhjeve, fillon takimi i Presidentes me liderët e partive politike

Ka filluar takimi i presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive politikë për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.
Derisa ka hyr të takim, askush prej liderëve nuk ka treguar datën e preferuar.
Pas dështimit të mandatarit të dytë Glauk Konjufca për formimin e qeverisë së re, presidentes Osmani i është kërkuar që sa më shpejt të cakton datën e zgjedhjeve të reja.
Eugen Cakolli nga KDI ka bërë me dije se shefja e shtetit nuk ka se çka pret më.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar se data reale mbeten 21 dhe 28 qershori.
“Sa më shumë që Presidentja e vonon shpalljen e datës së zgjedhjeve, aq më shumë rritet rreziku për funksionimin normal të institucioneve vitin e ardhshëm. Çdo ditë e humbur sot i ngushton opsionet ligjore, i shtyn afatet dhe e afron vendin me skenarë të pasigurt kushtetues, politik dhe fiskal. Sipas afateve aktuale – edhe pse Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet nuk janë plotësisht konsistentë në mënyrën se si përcaktojnë dhe përllogarisin afatet – datat reale për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme mbeten 21 dhe 28 dhjetori.”, ka shkruar ai, duke mos përjashtuar shtyerjen e zgjedhjeve edhe për muajin janar.
“Por nëse konsultimet dhe vendimmarrja përkatëse e Presidentes shtyhen pas 22 nëntorit, edhe 21 dhjetori bie si opsion, duke i shtyrë zgjedhjet potencialisht drejt janarit. E zgjedhjet në janar përbëjnë rrezik shumëfish më të madh, sepse nëse ato nuk mbahen brenda këtij viti, zgjatja automatike e ndarjeve buxhetore vlen vetëm për muajin janar, por jo edhe për shkurt. Prandaj, mbajtja e zgjedhjeve në dhjetor, madje sa më herët që të jetë e mundur, është mënyra e vetme për të shmangur kriza të reja dhe për të zvogëluar presionin kohor për formimin e institucioneve, të cilat duhet të përmbyllen patjetër në ditët e para të marsit. Sa më shumë të vonohet shpallja e datës, aq më afër skajit të afateve kushtetuese shtyhet vendi, me të gjitha rreziqet që i sjell një skenar i tillë”, ka shkrua ai.
Edhe partitë politike ish-opozitare i kanë kërkuar presidentes Vjosa Osmani që t`i shpall zgjedhjet sa më shpejt.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka vlerësuar se tani e vetja rrugë janë zgjedhjet e reja.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamza ka shkruar se koha e fjalëve të mëdha ka përfunduar.
Sipas tij, tani ka ardhur koha për një qeveri që punon.
“Dështimi i njëpasnjëshëm i dy mandatarëve tregon qartë se qeveria aktuale e ka humbur mbështetjen politike. Shumica që doli nga zgjedhjet e fundit është treguar e paaftë t’i krijojë institucionet e reja, duke shkaktuar pasiguri institucionale, politike dhe shtetërore. Sot e kemi vetëm një rrugë të përgjegjshme përpara: zgjedhjet e reja. Presidentja e vendit duhet ta caktojë sa më shpejt datën e tyre, sepse mjaft kohë kemi humbur. Qytetarët duhet ta rikthejnë stabilitetin institucional përmes votës së tyre, në mënyrë që ne ta krijojmë një qeveri funksionale, reformuese dhe të përgjegjshme. Koha e fjalëve të mëdha ka përfunduar. Ka ardhur koha për një qeveri që punon”, ka shkruar Hamza.
Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar një gjë të tillë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hoti ka shkruar se bashkë me zgjedhjet po vije edhe mundësia për t’i dhënë fund kaosit.
“Zgjedhjet po vijnë, dhe bashkë me to mundësia për t’i dhënë fund kaosit, arrogancës dhe bllokadës. Kosova meriton lidership serioz. Tani është momenti të bashkohemi dhe ta kthejmë shtetin në binarët e duhur”, ka shkruar Hoti.



