“Çështjet e protagonizmave kohë-humbëse, do të trajtohen pas 9 nëntorit”, Abdixhiku takon kandidatët që garojnë në balotazh

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka takuar kandidatët për kryetar të komunave që vazhdojnë garën më 9 nëntor.
Takimi vjen disa orë pasi, Xhafer Tahiri i kësj partie arriti koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Çdo energji, çdo fokus, çdo aktivitet i LDK-së në këto ditë do të drejtohet vetëm për LDK-në. Do të drejtohet drejt garave tona; aty ku prijmë, aty ku garojmë, aty ku qytetarët tanë e presin fitoren e LDK-së”, shkruan Abdixhiku.
Tutje ka komentuar edhe veprimet e Xhafer Tahirit në Vushtrri.
“Këtu mbetet puna jonë. Kështu projektohet LDK-ja jonë. Për veten, për kandidatët tanë e fitoret tona. Çështjet tjera periferike, ato të pas humbjeve e protagonizmave kohë-humbëse, do të trajtohen menjëherë pas 9 nëntorit; dhe atë qartë e drejtë”, deklaron kreu i LDK-së.
Pa miratimin e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, kandidati i kësaj partie për kryetar të Vushtrrisë ka nënshkruar sot marrëveshje koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Firmat e nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit mes Xhafer Tahirit të LDK-së dhe Sylejman Mehollit të LVV-së, janë hedhur sot në një ceremoni në qendër të Vushtrrisë.
Prezent në ceremoni ka qenë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.