Çitaku: Koha e arrogancës politike po mbaron për Kurtin

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas dështimit të kabinetit të ri të propozuar nga Albin Kurti për të marrë votat e nevojshme në Kuvend, duke akuzuar kryeministrin në detyrë për polarizim dhe përpjekje për sundim.

Ajo tha se Kurti ka ndërtuar të gjithë profilin e tij politik mbi “fyerje, manipulim dhe konflikt të vazhdueshëm me institucionet dhe qytetarët”.

“Ka tentuar të sundojë, sepse nuk ka ditur të qeverisë. Për pesë vite me radhë ka sulmuar gjykatat, prokurorinë, mediat, bizneset dhe sindikatat, duke goditur këdo që nuk i është nënshtruar”, deklaroi Çitaku.

Sipas saj, edhe pas votimit të sotëm, diskursi i Kurtit nuk ka ndryshuar.

“Edhe sot, i njëjti diskurs: ‘Ejani e më votoni, sepse ashtu po them unë’. Por koha e arrogancës po mbaron”, ka theksuar ajo.

Nënkryetarja e PDK-së tha se “demistifikimi i figurës” së Kurtit ka nisur që nga dita e parë e marrjes së pushtetit dhe se “tendencat totalitare u panë menjëherë”.

“Të zgjedhurit e popullit i treguan qartë se kjo mendësi nuk kalon”, përfundoi Çitaku.

Reagimi i saj vjen në një situatë të re politike ku vendi pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dështimit të propozimit për qeverinë e re.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button