Dëshmia e Gjeneralit: Për çka do të flasë Wesley Clark në Hagë?

Clark pritet të fillojë dëshminë me 18 ose 19 nëntor.
Nën prezencën e përfaqësuesve të Pentagonit e Departamentit Amerikan të Shtetit, ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, kishte dhënë intervistë 11 faqëshe për avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit.
Siç bëhet e ditur përmes një shkrese të mbrojtjes, kjo intervistë e tij do të elaborohet më gjerësisht dhe do të përdoret si provë edhe në dëshminë e tij që do ta jap fizikisht në gjykatoren e Hagës, në anën e UÇK-së.
Ndër shumë çështje, Clark aty flet për 78 ditët e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe në vitin 1999, intervenim ky që çoi në kapitullimin final të Serbisë dhe çlirimin e Kosovës.
Dëshmia e Clark do të orientohet gjithashtu në përshkrimin e përpjekjeve të NATO-s për zbatimin e marrëveshjes mes Richard Holbrook e Slobodan Millosheviq të tetorit të vitit 1998.
Pjesë qendrore e rrëfimit të Clark janë edhe ndërveprimet që ai ka pasur me UÇK-në si dhe delegacionin e Kosovës në Rambuje, e posaçërisht me Hashim Thaçin. Siç sqarojnë avokatët, ai paraqet vëzhgimet dhe përshtypjet e tij lidhur me mungesën e strukturës dhe organizimit të UÇK-së, si dhe mungesën e çdo komande apo kontrolli funksional.
Përveç të tjerash, ai sqaron edhe mungesën e kontrollit që Hashim Thaçi kishte mbi UÇK-në, të cilin e përshkruan si “figurë politike pa përvojë ushtarake”, që “ishte e padrejtë që sjelljet e gabuara të të tjerëve t’i atribuoheshin atij”.
Clark në intervistimin e tij fillestar ka mohuar se krerë të UÇK-së kanë qenë të përfshirë në përpjepje për koordinim të sulmeve kundër civilëve serbë apo pakicave tjera në verën e vitit 1999, pas çlirimit të Kosovës.
Dëshmia 11 faqëshe e Clark do të detajohet përgjatë ditëve të nëntorit kur ai do të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes, prokurorisë dhe gjykatësve për rrethanat e përshkruara nga vetë ai.
Ish-ushtaraku amerikan është dëshmitari i pestë me radhë i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. I pari që dëshmoi ishte ish-ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin.
Pas tij, dëshmoi Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje. I treti ishte John Duncan, ish-këshilltar i Clark-ut dhe i katërti ishte Jock Covey, zëvendëskryeadministrator i Kosovës nga viti 1999 deri më 2001.


