Dëshmitari Kurtaj mohon të ketë informata që Hashim Thaçi e ka vizituar Brigadën 162

Dëshmitari Hajrush Kurtaj në seancën e së mërkurës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka mohuar se ka informacione që Hashim Thaçi e ka vizituar Brigadën 162 “Agim Bajrami”.
Në ballafaqimin që prokurori James Pace është duke ia bërë dëshmitarit me citatet, dokumentet dhe fotot që ai i ka vendosur në librin e tij, fokusi kryesor i pyetjeve është te vizita e Thaçit që sipas një foto me përshkrim në librin e dëshmitarit është bërë në zonën e Brigadës 162, aty ku dëshmitari për një periudhë ka qenë komandant në detyrë i kësaj Brigade.
Në përshkrimin fotos të publikuar në librin e dëshmitarit Kurtaj, sipas prokurorit thuhej: “Drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, gjatë vizitës në Komandën e Brigadës 162 “Agim Bajrami” në Kaçanik”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Lidhur me këtë përshkrim, dëshmitari tha se fotografia është marrë paslufte dhe ai vetë nuk ka njohuri për ndonjë vizatë të Hashim Thaçit në këtë zonë, duke e ripërsëritur që ngjarjet në libër i ka zmandhuar dhe zbukuruar.
Dëshmitari është pyetur edhe për dy dokumente të publikuara në librin e tij, ku e para ka të bëjë me një vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së të marrë në mbledhjen e mbajtur më 12 nëntor 1998 dhe dokumenti i dytë lidhet me një urdhëresë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, nënshkruar nga kolonel Bislim Zyrapi.
Sipas dëshmitarit, këto dy dokumente të publikuara në librin e tij janë marrë 10 vite pas luftës në Komandën e Zonës së 6-të të TMK-së.
Po ashtu, dëshmitari ka thënë se nuk është në dijeni që të ketë pasur ndonjë ndëshkim apo hetim të ndonjë ushtari të Njësitit të Policisë Ushtarake të Brigadës 162, lidhur me trajtimin që ata ia kanë bërë ndonjë personi tjetër. Paraprakisht, këtë pyetje dëshmitarit ia parashtroi prokurori Pace.