
Policia e Kosovës me 30 janar të këtij viti ka arrestuar T.B dhe A.J të dyshuar për kryerjen e disa vjedhjeve në qytetin e Pejës.
Gjykata Themelore në Pejë, me kërkesë të Prokurorisë Themelore, ka caktuar masën e paraburgimit për dy të dyshuarit, në një seancë që u mbajt sot.
T. B (2001) dhe A.J (1997) akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” dhe “grabitje”.
Të dyshuarit T.B dhe A.J me fytyra të mbuluara, kanë hyrë në lokalin e “Western Union”. T.B, nën kërcënimin e thikës, i kishte kërkuar të holla punëtores. Ata arritën të grabisnin 1,000 euro dhe u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Kjo ngjarje kishte ndodhur me datën 28 janar, në ora 15:45.
T.B po ashtu ishte i përfshirë në një grabitje tjetër. Me datën 21 dhjetor 2025, nën kërcënimin e thikës, së bashku me një person tjetër A.K kishin grabitur barnatoren “Riga Pharm”. Nga ajo grabitje, kishin arritur të merrnin 800 euro, thuhet në dosjen e Prokurorisë.



