Dorëheqja e Gattuso, zbardhen arsyet e vendimit

Trajneri i përfaqësueses së Italisë, Gennaro Gattuso, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij pas eliminimit zhgënjyes në fazën play-off për kualifikimin në Botëror, ku “azzurrët” u mposhtën nga Bosnia dhe Hercegovina.

Vendimi i Gattusos vjen në një moment kritik për futbollin italian, ndërsa më herët edhe presidenti i FIGC, Gabriele Gravina, si dhe shefi i delegacionit të kombëtares, Gianluigi Buffon, kishin paralajmëruar ndryshime pas dështimit për të siguruar një vend në Kupën e Botës.

Ndryshe nga zyrtarët e tjerë që reaguan menjëherë, Gattuso e shtyu dorëheqjen për disa ditë. Sipas raportimeve nga Corriere della Sera, arsyeja kryesore e kësaj vonese lidhej me kushtet financiare dhe mënyrën e kompensimit të stafit teknik.

Burime pranë trajnerit bëjnë të ditur se Gattuso nuk ka kërkuar asnjë kompensim personal për ndërprerjen e kontratës përpara afatit, duke treguar edhe një herë korrektësinë e tij profesionale.

Megjithatë, ai ka insistuar që stafi i tij të kompensohet në mënyrë të drejtë, duke e bërë këtë një kusht të panegociueshëm për largimin e tij.

Ky nuk është rasti i parë që tekniku italian heq dorë nga përfitimet financiare. Një situatë e ngjashme është regjistruar edhe gjatë periudhës së tij te AC Milan, ku ai kishte vepruar në të njëjtën mënyrë.

Artikuj të tjerë

Back to top button