Ballina

Dosja e Prokurorisë: Një prokuror e një gjyqtare në vendngjarje si dëshmitarë- rrëfimi i tyre për rastin dhe sjelljet e Agon Zejnullahut në natën kritike

Betimi për Drejtësi” ka siguruar Dosjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, të cilët dyshohen për vrasje nga pakujdesia të qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan. Ndaj pesë të dyshuarve, Gjykata në Lipjan ka caktuar masën e paraburgimit.

Në Dosjen e Prokurorisë, si dëshmitarë që qëlluan në natën kritike në vendin e ngjarjes tregohet se ishin qytetari G.B., prokurori Ardian Emini dhe bashkëshortja e tij- gjyqtarja Elvira Emini. Ata kanë dëshmuar se tani i ndjeri Zejnullahu atë natë kishte shfaqur sjellje të pakontrolluara, kishte ndalë vetura, madje e kishte goditur në kokë gjyqtaren Emini.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, më 7 korrik në cilësi të dëshmitarit është intervistuar qytetari G.B., i cili ka thënë se rreth orës 00:00 ka qenë në veturën “Golf 7” dhe duke kaluar kishte parë tani të ndjerin Agon Zejnullahu i cili ishte afër një veture “Tiguan” dhe dëshironte të hynte në atë veturë. Mirëpo, thotë se nga ajo veturë dolën një djalë dhe një grua, të cilët nuk e lejuan të hynte në veturë dhe për një moment kishte menduar se po kacafyteshin.

Dëshmitari G.B., ka thënë se në atë moment e ka ndalë veturën dhe është afruar tek këta persona, duke menduar se janë duke u kacafytur dhe kishte dashur t’i ndajë, por se kur ishte afruar e kuptoi se nuk po kacafyteshin por që vozitësi i veturës i tha se Agoni dëshironte të hynte në veturë.

“Unë e kam marrë Agonin dhe e kam afruar tek vetura ime, ku jam munduar ta qetësoj dhe e kam pyetur se çfarë ka, ndërsa i njëjti vetëm më thoshte “largomi se po më ngucin, mos i le me më nguc njerëzit rri me mua” ku këtë fjalë e ka përsëritur disa herë”, citohet se deklaroi dëshmitari.

Ai ka thënë se gjatë kësaj kohe, tani i ndjeri kishte qenë i dërrmuar dhe mezi qëndronte në këmbë dhe njëkohësisht i dilte shkumë nga goja.

“Disa herë jam munduar ta bindë që ta dërgoj tek doktori apo tek shtëpia e tij, mirëpo nuk ka pranuar, më pas aty ka ardhur edhe Prokurori Ardian Emini, i cili ka qenë kalimtar i rastit dhe i njëjti është ndalur vetëm për të shikuar se çfarë është duke ndodhur pasi që njihemi mes vete”, tha G.B.

Sipas tij, tani i ndjeri gjatë tërë kohës kishte ndjesinë se dikush po e ndjek dhe në momentin që ndonjë kalimtar i kalonte afër, ai menjëherë shikonte se si të largohej nga aty. Por. thotë se e bindi të qëndrojë, duke menduar se do të vijë ndihma e parë dhe do ta qetësonin atë.

“Pas disa minutave aty ka ardhë një patrullë policore dhe Agoni ka dashur të hyjë në veturë zyrtare, por jo vetëm në këtë, por çdo veturë që ka kaluar Agoni ka dashur të hyjë në veturë dhe në momentin që është afruar afër veturës zyrtare Agoni është rrëzuar në tokë, më pas kur është ngritur është nisur në drejtim të Policisë për të hyrë në veturë mirëpo zyrtarët policorë nuk e kanë ditur për këtë dhe e kanë përdorur sprejin lotsjellës, e më pas Agoni ka hyrë në veturën time”, citohet se deklaroi G.B.

Në Dosje thuhet se dëshmitari deklaroi që tani i ndjeri Zejnullahu i kishte thënë që mos t’i lejojë “ta ngucin”, duke e përsëritur këtë fjalë dhe shikonte rreth veturës nëse ndodhet dikush në të dhe duke menduar vetëm si të dalë nga vetura për t’u larguar.

Gjatë qëndrimit në veturë prapë ka pasur shkumë në gojë të cilën e fshinte me bluzë tek kraharori herë pas here”, thuhet se deklaroi G.B.

Ai po ashtu ka thënë se Agoni disa herë kishte tentuar të dalë nga vetura por që e ndaloi, duke u munduar ta qetësonte sepse e kishte parë se diçka nuk ishte në rregull dhe se në këtë gjendje e kishte parë për herë të parë.

“Në një moment Agoni e ka shtyrë derën e veturës duke e hapur dhe ka dalë nga vetura me ë’rast ka tentuar të largohet nga zyrtarët policor, mirëpo të njëjtit e kanë kapur dhe e kanë shtrirë për tokë, më pas nga një veturë e modelit Audi me ngjyrë të bardhë ka dalë një qytetar me rroba civile i cili më duket se ka qenë zyrtar policor sepse i njëjti ju ka ndihmuar gjatë arrestimit, unë i kam njoftuar zyrtarët policor që të mos e ngucin sepse Agoni nuk ka fuqi për të rezistuar, ndërsa e kam dëgjuar Agonin duke ju thënë policëve “mos më lidhni se nuk kam bërë kurgjo“, citohet se deklaroi G.B.

Sipas tij, në momentin kur zyrtarët policorë ishin mbi trupin e Agonit dhe njëri prej tyre ia kishte vendosur gjurin mbi shpinë tek pjesa e qafës duke e shtypur për toke, atëherë, Agoni u kishte thënë “nuk muni mem lidh se unë punoj sigurim”.

“…dhe pas këtyre fjalëve unë e kam marrë një shofër metalike të cilën ja kam afruar zyrtarit policor sepse i kishte rënë në tokë dhe aty i kam parë dy apo tri tuba shkumë në tokë dhe ju kam thënë zyrtarëve policor lene mos e munoni se nuk është në gjendje me ba kurgjo, mirëpo asnjë prej zyrtarëve nuk ka folur me mua, ndërsa më pas e kam parë se Agonin kanë tentuar ta ngrisin në këmbë por që ka qenë pa vetëdije”, deklaroi G.B.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, ky dëshmitar ka thënë se më pas zyrtarët policorë janë munduar t’ia lagin sytë Agonit dhe janë munduar ta kthjellin me shuplaka në faqe, e që më pas aty erdhi autoambulanca, ku menjëherë Agonin e kanë vendosur në lese, e ku Agoni ende i kishte duart e lidhura. Më pas, dëshmitari tha se ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe nuk e di çfarë ka ndodhur.

Çka deklaroi prokurori Ardian Emini, në cilësi të dëshmitarit?

Prokurori Ardian Emini ka deklaruar se ai dhe bashkëshortja- gjyqtarja Elvira Emini atë natë kishin dalë për të ecur. Tha se gjatë tërë javës së kaluar kishte qenë prokuror kujdestar dhe se në kohën kur ishte duke ecur me bashkëshorten, është kontaktuar nga Policia për t’iu dhënë udhëzime lidhur me një rast. Në atë moment, tha se bashkëshortja e tij bërtiti dhe pa një person që u largua nga prapa tyre dhe se bashkëshortja i tha se e kishte goditur me grusht prapa në kokë.

“I njëjti person që për mua ishte i panjohur kaloj me vrap në shiritin e kundërt të rrugës duke bërë me duar para dhe duke penguar automjetet që lëviznin, menjëherë kam kontaktuar Stacionin Policor në Lipjan duke i njoftuar se një person bën veprime të pakontrolluara duke sulmuar kalimtarët e rastit por edhe veturat”, citohet se deklaroi prokurori.

E për një moment, ai ka thënë se pa që ai person ka ndalur një veturë dhe ka tentuar të hyjë apo ka hyrë brenda saj, pasi nuk i kujtohet saktë ngase ishte në largësi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button