
Kokaina po shndërrohet në drogën më shqetësuese në Kosovë. Vetëm gjatë vitit 2025, Policia e Kosovës ka konfiskuar rreth 25 kilogramë kokainë një shifër që, sipas zyrtarëve të hetimit të narkotikëve, reflekton rritje të qartë të kërkesës në tregun lokal.
Nga rrugët e Amerikës Latine, përmes rrjeteve kriminale ndërkombëtare dhe metodave gjithnjë e më të sofistikuara të trafikimit, kjo drogë e shtrenjtë ka gjetur konsumatorë edhe në Kosovë. Ndërkohë që policia përballet me hetime komplekse dhe shpërndarje në doza minimale, statistikat e pesë viteve të fundit tregojnë një realitet shqetësues, përdorimi i kokainës është në rritje, bashkë me numrin e rasteve, bastisjeve dhe të arrestuarve.
Kokaina është njëra nga drogat të cilat në bazë të statistikave të Drejtorisë së Antidrogës ka pasur një rritje me një përqindje deri në 40 të përdorimit dhe kërkesave.
“Kokaina është shqetësimi primar për momentin në Kosovë. Gjatë punës operative që kemi bërë në terren, ne kemi një sasi të madhe të kokainës që është konfiskuar, edhe pse në total ndoshta si shifër nuk duket shumë, por janë mbi 20 deri afër 25 kg kokainë e konfiskuar gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin 2024 ku ka pasur sasi më të vogël, sa gjysma e saj”, thonë nga Drejtoria e Antidrogës, ku tregohet se kjo drogë destinacion kishte tregun lokal.
Ndërsa hetimet për narkotik janë komplekse dhe kërkohet periudhë e gjatë kohore për të gjetur dhe zbuluar, rrugët që përdoren dhe metodat të cilat avancojnë në bazë edhe të trendëve globale.
Gjithashtu edhe dy lloje të drogave të reja që janë parë se kanë zënë vend tashmë në tregun e Kosovës tek përdoruesit, janë edhe amfetamina dhe metadoni.



