Dy vendvotime ende të panumëruara në Mitrovicë të Jugut

Derisa në 17 nga 18 komunat që ishin në balotazh mbrëmë përfundoi procesi i numërimit të votave, por në Mitrovicë të Jugut ky proces ngeci.
Sipas rezultateve të publikuara në ueb-faqen e KQZ-së, u pa se kanë mbetur edhe dy vendvotime pa u procesuar.
Për këtë çështje foli në konferencë për media edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, i cili nuk tregoi arsyen e kësaj ngecjeje në Mitrovicën e Jugut.
“Në Mitrovicën e Jugut, Faton Peci me 53,53%, Arian Tahiri 46,47%. Një informacion lidhur me Mitrovicën e Jugut, nuk janë futur ende edhe dy vendvotime, të cilat do të azhurnohen më vonë në platformë”, tha Radoniqi,
Edhe në mëngesin e sotëm, ende nuk është publikuar rezultati nga numërimi i të gjitha vendvotimeve.
Në bazë të shifrave të publikuara nga KQZ, deri më tani janë procesuar votat e 32,770 qytetarëve, apo 98,10%, ndërsa kanë mbetur edhe 1010 vota pa u numëruar.
Megjithatë, rezultati për sa i përket fituesit nuk pritet të ndryshojë pasi diferenca mes kandidatëve është 2314 vota.



