
Një nga personat e dyshuar në skandalin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) ka arritur të largohet nga Kosova para se të arrestohet. Bëhet fjalë për L.B nga Klina, e lindur në vitin 1996, e cila tashmë është shpallur në kërkim nga organet e rendit.
Burimet e besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se largimi i saj ka ndodhur pak ditë para zhvillimit të aksionit masiv policor, në të cilin u ndaluan dhjetëra persona në kuadër të hetimit për krim ekonomik dhe financiar që lidhet me BKS-në.
L.B gjinisë femer, figuron në listën e personave nën hetim, në kuadër të së njëjtës lëndë penale ku janë përfshirë dhjetëra persona fizikë, subjekte afariste, si dhe persona përgjegjës të personave juridikë.
Hetimi përfshin dyshime për keqpërdorim të besimit, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike, falsifikim dokumentesh dhe bashkëkryerje në vazhdimësi.
Pas konstatimit e dyshuara nuk ndodhet më në territorin e Kosovës, ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë veprime për shpalljen e saj në kërkim, njoftimin e strukturave kufitare dhe mekanizmave përkatës, dhe koordinimin e mëtejmë me institucionet kompetente.
Rasti i skandalit të BKS-së mbetet aktiv dhe në zgjerim, ndërsa organet e drejtësisë po vazhdojnë analizimin e materialeve të sekuestruara gjatë bastisjeve dhe po shqyrtojnë përgjegjësinë penale të secilit të përfshirë.



