E provokoi gjatë intervistës, deputeti Armend Zemaj përfshihet në përleshje fizike në qendër të Prishtinës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, është përfshirë në një incident fizik në sheshin e Prishtinës.
Ngjarja ka ndodhur në momentin kur Zemaj po jepte një intervistë për Gazetën Blic, në qendër të kryeqytetit. Gjatë xhirimeve, një qytetar që po kalonte aty bashkë me familjen e tij e ka provokuar Zemajn me fjalë fyese.
Teksa Zemaj po jepte intervistë në sheshin e Prishtinës, qytetari në fjalë i ishte drejtuar Zemajt me disa herë me fjalët:
“Po rreni, mos rrej, po rreni mos rrej”, reagimi i deputetit ka qenë i menjëhershëm duke iu kundërpërgjigjur me “Kush po rren?”.
Dhe duke e goditur qytetarin në fjalë me grusht.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë ekipi teknik i xhirimeve si dhe deputeti tjetër, Agim Bahtiri, i cili ndodhej aty afër në momentin e incidentit dhe ka ndihmuar në ndarjen e palëve.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
“Rreth orës 14:50 në sheshin Skenderbeu ka ndodhur një konflikt fizik në të cilin ka qenë i përfshirë deputeti i Kosovës, Armend Zemaj dhe një qytetar me emrin Nuha Osmani. Njësia policore ka kontaktuar me qytetarin dhe i njëjti është përcjell deri në stacion për intervistë dhe procedura të mëtutjeshme kurse deputeti Armend Zemaj është paraqitur vetë. Për rastin janë njoftuar sektori i Hetimeve dhe Hetimet Rajonale”, thuhej në një njoftim të Policisë.



