EKSKLUZIVE: Kam Market merr 2,500€ gjoba nga Inspektorati, ndërsa biznesi paraqet ankesa kundër gjobave në Ministrinë e Financave

Nga: Natyra Dragusha

Punëtorët e rrjetit të marketeve “Kam Market” me emer tregtar “Diambe Market” sh.p.k akuzojnë kompaninë për shkelje të të drejtave të punës, madje disa prej tyre u shprehen se ishin të detyruar të largohen nga puna si pasojë e presionit të vazhdueshëm dhe shkeljeve të të drejtave në punë.

Artikull i përditësuar” (Ministria e Financave nuk i ka shqyrtuar ende ankesat, dhe nuk ka vendim zyrtar)

Një ish punëtore, e cila prej vitesh kishte punuar në një nga pikat në Prishtinë në kushte anonimati rrëfen për TandemPress, se u detyrua të largohet për shkak që shpesh i është ndaluar një shumë e parave nga paga, pa ndonjë arsyje të qartë, më pas i është drejtuar me një shkresë zyrtare Inspektoratit Qendror të Punës ku përmes email-it i kishte shprehur këto shqetësime.

Një punëtor tjeter me iniciale D.I rrëfen se parregullësitë e detyruan ta lëshoj vendin e punës, gjithashtu u shpreh se ka pasur presion gjatë kohës sa kishte punuar në këtë kompani.

Në dokumentet e siguruara nga TandemPress, drejt Inspektoratit të Punës punëtorët kishin shprehur këto shqetësime:

Presion i vazhdueshëm, mbajtja e pagave në mënyrë të padrejtë, mungesa e vlerësimit mbi orë shtesë të punës, ndalesat e pushimeve vjetore, dimërore që nuk ishin kompensuar asnjëherë, refuzim për ofrimin e kontratave, heqja e të drejtës për dy ditë pushim në javë, pa asnjë njoftim zyrtar etj.

Në informacionet e para zyrtare të siguruara nga Inspektorati i Punës shkruhet se:

“Subjekti juridik “Kam Market” është inspektuar pas ankesave të marra nga punëtorët. Në dy raste subjekti është dënuar me gjobë për cënim të marrëdhënies së punës, konkretisht për mos pagesë të punës në ditët e fundjavës, dhe gjatë festave zyrtare, si dhe për largim të punonjësve nga puna në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa në lidhje me inspektimin e rregullt të realizuar njoftojmë se ai është zhvilluar në muajin tetor 2025 dhe procedura e inspektimit është ende në zhvillim” kështu shkruhet në përgjigjjen zyrtare të siguruar nga Inspektorati Qendror i Punës në muajin tetor të këtij viti.

Duke u bazuar në dokumentet e inspektimit, konstatohet se subjekti “Kam Market” me emer tregtar “Diambe Market” është dënuar disa herë nga IP nga muaji Qershor e deri në Shtator të këtij viti, me shumën në total 2500€.

Inspektorati i Punës, në përgjigje të kërkesës zyrtare për qasje në dokumente publike, më 19 nëntor ka vënë në dispozicion procedurat e inspektimit dhe nga shqyrtimi i dokumenteve konstatohet se:

Nga raporti i inspektimit kuptohet se subjekti juridik “Diambe Market” kishte paraqitur ankesë në komisionin e ankesave në Ministrinë e Financave, duke i kundërshtuar vendimet e Inspektoratit të Punës.

Shqiptimi i gjobave:

Me rastin e inspektimit të kryer sipas sinjalizimeve/ankesave anonime ndaj subjektit “Diambe Kosova, emri tregtar “Kam Kosova” u konstatuan shkelje dhe me 24.09.2025 u vendos shqiptimi i masave ndëshkimore

1.Cënimi i dispozitave Neni 10 (Kontrata e Punës) paragrafi 1 dhe sipas udhëzimit administrativ  për përcaktimin e gjobave për shkelje të dispozitave i shqiptohet gjobë prej 1200€

2.Cënim i dispozitave të Nenit 55 (Paga kompensimi pagës, dhe të ardhurat e tjera) të Ligjit të Punës 03/L-212 paragrafi 1 dhe sipas udhëzimit administrativ i shqiptohet gjobë prej 500€, shkruhet në dokument.

“Ky vendim nga IP, u dha pas ankesave dhe inspektimeve mbi subjektin, dhe në dokument shtohet se Inspektorati i Punës me daten 09.09.2025 ka informuar punëdhënësin se mungojnë  disa prej kontratave të punës, dhe dëshmitë e pagesave per dy të punësuara, si dhe mungesa e deklaratave lidhur me llogaritjen e pagave dhe deri në ditën e përgaditjes së vendimit punëdhënësi nuk ka prezantuar dokumente shtesë”, thuhet në raport.

“Tutje në raport thuhet se subjekti “Diambe Kosova” sh.p.k paraqet ankesë kundër vendimit të Inspektoratit të Punës, mbi gjobën e vënë me vlerë 1700€”.

“Ankesë për vërtetim të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike”, dhe pas shqyrtimit të aprovohet ankesa e subjektit Diambe Market sh.p.k, shkruhet në dokument.

(Shqiptimi i gjobave të IP me vlerë 200,600€ drejt subjektit, dhe ankesat tjera të dërguara në Ministrinë e Financave kundër Inspektoratit)

Inspektimi i kryer i datës 08.08.2025 dhe Ri-Inspektimi i bazuar ne dokumentet e prezantuara nga palët, duke u bazuar në ankesën e datës 28.07.2025 të palës ankuese me pretendim për ndëprerje të marrëdhënies së punës në mënyrë të kundërligjshme u konstatua se punëdhënësi është përgjegjës për:

“Cënimin e dispozitës neni 15,paragrafi 3 të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës dhe nga shkelja e dispozitave të ligjit të punës subjektit me datën 08.09.2025 i shqiptohet gjobë me shumë 200€”.

“Gjithashtu punëdhënësit i tërhiqet vërejtja që në vazhdimësi të respektoj dispozitat e Ligjit të Punës”, thuhet në raportin e Inspektimit.

Ndërkaq subjekti “Diambe sh.p.k” kundër këtij vendimi të IP paraqet ankesë në Komisionin e Ankesave/MFPT Ministrisë së Financave Punëve dhe Transfereve, organ epror në procedurën e shqyrtimit të ankesave administrative për procedurat e Inspektimit.

Pas shqyrtimit të ankesës nga Komisioni i Ankesave të MFPT shkruhet:

“Të vendoset si e aprovuar ankesa e subjektit “Diambe sh.p.k” dhe të shfuqizohet vendimi i datës 08.09.2025, kundër Inspektoratit të Punës në Prishtinë”, thuhet në dokument.

Ndërkaq edhe një gjobë tjeter sipas dokumenteve, Inspektorati i Punës e kishte shqiptuar  me datën 11.06.2025 ku shkruhet se subjekti është përgjegjës për “Cënimin  e dispozitës të Nenit 23 (Puna më e gjatë se orari i punës) të Ligjit Nr.03/L-212 paragrafi 7 ku shkruhet se punëdhënësi detyrohet të mbajë të dhëna të sakta për punët jashtë orarit dhe t’i prezantoj ato sipas kërkesave të Inspektoratit.

Sipas dispozitës neni 92, paragrafi 1 Ligjit të Punës lidhur me dispoziten e nenit 7, paragrafi 2.15 u shqiptua gjoba me vlerë 600€.

“Në dokument IP e ka arsyetuar këtë vendim ku shkruhet se me raport zyrtar ri-inspektues me datën 28.05.2025 punëdhënësit i kanë dhënë vërejtje me shkrim për parregullësitë e konstatuara gjatë inspektimit”, thuhet në raport.

Ndërkaq edhe për këtë gjobë subjekti kishte paraqitur ankesë në Komisionin e Ankesave në MFPT, duke e shkruar vendimin e Inspektoratit si:

“Shkelje esenciale të dispozitave të ligjit, dhe vërtetim i gabueshëm dhe jo i plotë i gjendjes faktike”, shkruhet në raport.

“Komisioni i ankesave të MFPT ta aprovoj si të bazuar ankesën e subjektit “Diambe sh.p.k” duke shfuqizuar vendimim e datës 11.06.2025 kundër Inspektoratit të Punës në Prishtinë”, thuhet në raport.

(Përgjigjja e Ministrisë së Financave, lidhur me rastin dhe ankesat)

Në një përgjigjje për “TandemPress” Ministria e Financave ka bërë të ditur, se Komisioni i Ankesave i shqyrton ankesat sipas rendit kronologjik të pranimit të ankesave.

“Si rrjedhojë deri në këtë fazë nuk është marrë asnjë vendim zyrtar, dhe ankesat nuk janë shqyrtuar ende”, kështu shkruhet në përgjigjjen e MFPT (Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve).

Ndërkaq lidhur me rastin dhe ankesat e punëtorëve, TandemPress ka tentuar disa herë për ta kontaktuar subjektin “Kam Market”, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka dhënë asnjë përgjigjje.

Artikuj të tjerë

Back to top button