EKSKLUZIVE: Shkolla e fshatit Greiqec shndërrohet në bujtinë, Drejtoria e Arsimit thotë që personi ka punuar ilegalisht në objektin e shkollës

Një institucion arsimor publik në fshatin Greqiec të Suharekës, saktësisht në Lagjen Reshani, është shndërruar në bujtinë private, ndërkohë që Drejtoria e Arsimit ka thënë për mediumin që personi ka punuar ilegalisht në atë shkollë.

Burime të TandemPress bëjnë të ditur se objekti i ish-shkollës fillore dhe të mesme të ulët është marrë në shfrytëzim nga një person privat, i cili ka bërë investime të konsiderueshme për ta kthyer atë në bujtinë.

Sipas informatave, ligjërisht kryetari i komunës ka të drejtë ta japë një pronë publike në shfrytëzim deri në një vit pa e dërguar çështjen për miratim në Asamblenë Komunale. Megjithatë, nuk dihet nëse në këtë rast është respektuar procedura ligjore apo nëse janë marrë vendimet e nevojshme administrative.

Tani, Luli Reshani, e ka renovuar tërësisht objektin dhe e ka shndërruar në një bujtinë moderne, e cila ndodhet në fazën finale të punimeve. Sipas informacioneve të siguruara nga TandemPress, objekti pritet të fillojë së shpejti aktivitetin komercial, duke ofruar akomodim për vizitorët kundrejt pagesës.

TandemPress ka kontaktuar Drejtorinë e Arsimit ku drejtori Remzi Bajselmani ka dhënë detaje për mediumin.

“Jo, komuna nuk e ka dhënë në shfrytëzim sepse nuk mundet pa u dërguar në Asamblenë Komunale, përsoni ka punuar në atë object në mënyrë ilegale, Drejtoria e Inspekcionit ka dal në vendngjarje dhe i ka ndërpresë punimet, lënda ka shkuar në organet e drejtësisë”, është shprehur Bajselmani.

Gjithashtu, është tentuar të merret qëndrimi edhe i personit që ka marrë shkollën në shfrytëzim, por ai nuk është deklaruar për TandemPress deri në publikimin e artikullit.

TandemPress është i hapur për personin e apostrofuar për ta dhënë versionin e tij lidhur me këtë çështje.

Gjithashtu mediumi ka kontaktuar edhe Prokurorinë Themelore në Prizren për këtë rast.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button