Emërllahu prezantohet te klubi i ri, rritet “kolonia” e Kosovës në Ukrainë

Mesfushori i Kosovës, Lindon Emërllahu, është prezantuar te klubi i ri.

Ai është transferuar nga Cluji rumun te klubi ukrainas, Polissya Zhytomyr. Emërllahu ka firmosur për tri vjet, ndërsa do ta mbajë fanellën me numrin 14.

Lëvizja e tij për në Ukrainë është interesante e deri diku edhe e papritur.

Ai vetëm më 10 shkurt të këtij viti është transferuar te CFR Cluj në Rumani nga Ballkani i Suharekës. Dhe ende pa u bërë një vit kalon në një vend tjetër.

Emërllahu doli herët në skenë te Ballkani. Shkëlqeu në periudhën e Ilir Dajës, duke udhëhequr mesfushën e skuadrës suharekase. Ishte çështje kohe para se të transferohej në ndonjë klub të huaj. Në fillim të këtij viti u realizua transferimi, por pak kush mund të ketë pritur që pas Rumanisë, Ukraina të jetë destinacion i mesfushorit cilësor.

Te klubi rumun megjithatë kishin ide të tjera dhe pranuan ofertën e Polissyas.

“Këtë sezon mesfushori luajti 24 ndeshje, duke i shënuar katër gola dhe duke i bërë dy asistime për CFR Cluj në Rumani. Emërllahu është reprezentues i Kosovës. Ka luajtur 12 ndeshje për ekipin nacional, duke shënuar një gol”, shkruan në prezantimin që klubi ukrainas i ka bërë Emërllahut.

Ai ka luajtur kundër skuadrës së re në një miqësore sa ishte pjesë e Ballkanit, në fillim të vitit. Ballkani e kishte humbur atë ndeshje 3:0. Dhe duket që në klubin ukrainas kanë mbajtur shënime.

Futbolli në Ukrainë është goditur goxha shumë që kur nisi pushtimi rus i këtij vendi. Por kampionati zhvillohet, ndërsa lojtarët nga Kosova të transferuar në këtë vend nuk kanë pasur ndonjë sfidë serioze. Ka ndodhur që ndeshjet të ndërpriten për shkak të alarmit për sulme ruse, por kanë vazhduar më pas.

Në Ukrainë luajnë edhe plot tre reprezentues të tjerë të Kosovës. Mesfushori ofanziv, Muharrem Jashari, është pjesë e skuadrës LNZ Cherkasy. Ndërkohë mbrojtësi Ilir Krasniqi është te Kolos Kovalivka. Baton Zabërgja paraqitet te Metalist 1925. Te kjo skuadër aktivizohet edhe sulmuesi kosovar i Shqipërisë U21, Ermir Rashica.

Pjesë e Polissyas është mbrojtësi nga Shqipëria, Andi Hadroj. Te Charkasy luan edhe Ajdi Dajko, po ashtu nga Shqipëria. Tedi Cara luan tek Oleksandriya.

Në Ukrainë ka edhe shumë lojtarë nga vende të tjera.

Cherkasy i Jasharit është në vendin e parë me 35 pikë, sa i ka edhe Shakhtar Donetsku. Polissya Zhytomyr e Emërllahut është në vendin e tretë. Vetëm më pas është Dynamo Kyivi.

Shakhtari e Dynamo dikur ishin skuadra shumë të respektuara në Evropë. Por pasi nisi pushtimi rus i Ukrainës këto skuadra pësuan rënie të pritur.. Shakhtari si vendas luan në Lviv. Donetsku është i okupuar nga Rusia.

Në Rumani, Emërllahu ishte prej mesfushorëve më të mirë. Gjithsej i luajti 41 ndeshje, kurse shënoi gjashtë gola dhe përgatiti tre të tjerë. Ai është kërkuar edhe nga skuadra në Rumani. Cluji ka refuzuar që ta shesë te klubet rivale, ndërsa raportohet që do të përfitojë 1,5 milionë euro nga klubi ukrainas në emër të dëmshpërblimit. Është dyfish më shumë se shifra e shpenzuar për ta blerë nga Ballkani. Paga vjetore e Emërllahut, sipas mediave në Rumani, do të jetë 500 mijë euro, pa përfshirë bonuset.

info@tandempress.net

Artikuj të ngjashëm

Back to top button