Ende në gjendje kritike njëri nga anëtarët e KKZ-së së Ferizajt që u aksidentua dje

Vazhdon të mbetet në gjendje kritike njëri nga pesë anëtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor të Ferizajt që u aksidentuan dje.
Nga Klinika e Mjekimit Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku kanë thënë se i njëjti vazhdon të jetë i intubuar dhe i lidhur në aparat të anestezionit.
Nga kjo klinikë u bë e ditur se gjendja shëndetësore e pacientit është duke u monitoruar vazhdimisht, raporton Klan Kosova.
Po ashtu, u theksua se njëri prej të lënduarve të tjerë është dërguar në Kirurgjinë Torakale. Klan Kosova është përpjekur të kontaktojë edhe me këtë klinikë, por nuk ka arritur të marrë përgjigje, pasi nuk kanë qenë të qasshëm.
Ndërkohë, sot gjatë ditës, drejtori i Emergjencës në Prishtinë, Naser Syla, ka deklaruar për Klan Kosova se dy nga të lënduarit ishin dërguar në Klinikën Intensive pas intervenimit fillestar në Emergjencë.
Nga ana tjetër, Bleron Jakupi nga dega e LDK-së në Ferizaj tha se tre nga të lënduarit e tjerë janë në gjendje më të mirë shëndetësore.
“Lajme më të mira nga miqtë tanë të Komisionit Komunal Zgjedhor të Ferizajt. Shaban Rexha ka përfunduar me sukses operimin dhe ndodhet nën kujdes mjekësor. Burhani Salihu dhe Nexhmedini Idrizi kanë pësuar fraktura të brinjëve, por janë jashtë rrezikut për jetë. Ndërsa Meritani është liruar nga QKUK dhe po vazhdon rikuperimin në shtëpi. Lutjet tona të përzemërta vazhdojnë të jenë me Fetah Bytyqin, i cili është në gjendje më të rëndë. Zoti i forcoftë të gjithë dhe i ktheftë sa më shpejt shëndoshë pranë familjeve të tyre”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.