Fakulteti Juridik i UP-së, nënshkruan bashkëpunim me Akademinë e Nurembergut për avancimin e së drejtës penale ndërkombëtare

Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës ka njoftuar se do të ketë një bashkëpunim të avancuar me Akademinë e Nurembergut (International Nuremberg Principles Academy), një institucion me reputacion ndërkombëtar, i vendosur në Nuremberg, Gjermani, vendi historik ku u zhvillua gjyqi i Nurembergut.

Akademia fokusohet në avancimin e së drejtës penale ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut.

Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Avni Puka, më 10-12 dhjetor 2025 realizoi një vizitë zyrtare në Nuremberg me ftesë të Akademisë së Nurembergut. Gjatë vizitës, ai mori pjesë në prezantime në forumet e akademisë, takoi stafin dhe studiuesit e saj, si dhe u prit në një takim të veçantë nga Drejtori, Prof. Christoph Safferling.

Bashkëpunimi parashikon realizimin e vizitave studimore, pjesëmarrjen e personelit akademik dhe studentëve në konferenca, aktivitete hulumtuese me nivel të lartë, seminare, projekte dhe publikime akademike.

Në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi do të fokusohet në mbështetjen e programit master në gjuhë angleze të Fakultetit Juridik “Human Rights, International Criminal Law and Transitional Justice”, përmes pjesëmarrjes së profesorëve nga Akademia e Nurembergut dhe Shkolla Juridike e Universitetit të Erlangenit në ligjërata dhe organizimin e vizitave studimore të studentëve të këtij programi në Nuremberg, si dhe mbështetjen e zhvillimit e avancimit të misionit të “Qendrës për Studimin e Gjenocidit, Holokaustit dhe Drejtësi Tranzicionale” që është themeluar pranë Fakultetit Juridik UP.”, thuhet në njoftimin e Fakultetit Juridik.

Sipas njoftimit, puna e Akademisë së Nurembergut si institucion prestigjioz mbështet luftën kundër pandëshkueshmërisë për krimet kryesore ndërkombëtare, përfshirë gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimin e agresionit. Aktivitetet e Akademisë bazohen në trashëgiminë e Parimeve të Nurembergut, simbol i sundimit të ligjit dhe drejtësisë për krimet ndërkombëtare.

info@tandempress.net
Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button