Ferizaj: E bllokoi derën e stacionit dhe sulmoi policët, arrestohet një i dyshuar

Një person është arrestuar pasi sulmoi zyrtarët policorë gjatë një ndërhyrjeje për të larguar një veturë të parkuar në mënyrë të parregullt afër stacionit.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Njoftimi:
Arrestohet një person për sulm ndaj zyrtarëve policorë
Me datë 09.01.2026, rreth orës 15:40, një zyrtar policor i caktuar në detyrë te porta hyrëse e stacionit policor ka njoftuar se një veturë me targa të huaja ishte parkuar para portës (te laura) dhe shoferi i saj nuk po i bindej urdhrave për t’u larguar.
Në vendngjarje kanë dalë për asistencë edhe zyrtarë të tjerë policorë dhe se i dyshuari A.N. (35 vjeç) përdorte vazhdimisht fjalë fyese dhe kanosëse ndaj zyrtarëve policorë, duke shfaqur sjellje agresive dhe mosbindëse.
Gjatë ndërhyrjes, i dyshuari u është vërsulur zyrtarëve policorë, me ç’rast ata janë detyruar të përdorin sprej mbrojtës dhe ta arrestojnë atë.
Si pasojë, tre zyrtarë policorë dhe i dyshuari kanë pësuar lëndime të lehta.
Në rast është kyçur Njësia e Hetimeve Rajonale, e cila ka intervistuar të dyshuarin dhe me urdhër të prokurorit të shtetit, është iniciuar rasti “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore
Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek qytetarët që të respektojnë dhe zbatojnë urdhrat e ligjshme të zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
Bashkëpunimi dhe respektimi i autoritetit policor kontribuojnë drejtpërdrejt në ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.



