Finalizohet “Kombinimi” në Kamëz, kapen drogë e municione luftarake

Është finalizuar policor i koduar “Kombinimi” në Kamëz të Shqipërisë, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.

Policia e Shtetit njofton se në kuadër të tij janë sekuestruar 12 kilogramë kanabis, municione luftarake (granata, ndezës minash, fitila detonatorë, tritol), armë të ftohta dhe peshore elektronike.

Poashtu është zbuluar edhe një banesë ku kultivoheshin bimë narkotike, me llamba. Sekuestrohen nga banesa, 168 bimë dhe fidanë narkotikë, transmeton Klankosova.tv.

“Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. T., 53 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Laç dhe T. T., 27 vjeç, banues në Tiranë, të dy, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve”.

“Këta shtetas janë ndaluar nga shërbimet e Policisë, në Bathore, duke qarkulluar me 2 automjete, në të cilat gjatë kontrollit, u gjetën në total 4 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se ata e posedonin me qëllim shitjen në doza, në Bathore dhe në Kamëz”.

“Më tej, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, u krye kontroll në banesën e 53-vjeçarit, në fshatin Gjormë, ku u konstatua një ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba. Gjatë kontrollit në këtë ambient, u gjetën 48 bimë dhe 120 fidanë cannabis sativa, të kultivuara në vazo, 7 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 4 kallep tritol, 2 granata, 2 ndezësa, 7 fitila detonator dhe 3 kuti me ndezesh minash luftarake.

Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçarit, në Tiranë, u gjetën 1 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 1 peshore elektronike, 1 shufër metalike dhe 1 armë e ftohtë (thikë)”.

Hetimet vijojnë për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar në këto veprimtari kriminale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button