
Partia Demokratike e Kosovës i është përgjigjur ftesës së Kryeministrit Albin Kurti për takim lidhur me çështjen e Presidentit.
Sikurse LDK, edhe PDK ka kërkuar që të pritet verdikti i Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Në njoftimin e PDK’së ka përmendur masën e përkohshme ndaj dekretit, duke theksuar se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë.
“Partia Demokratike e Kosovës e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit. Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë. Partia Demokratike e Kosovës beson se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i procedurave institucionale është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitet politik dhe institucional në vend”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.
Kurti deklaroi sot se pret që javën e ardhshme të ketë takim me liderët e opozitës, pasi ftesat tha se do t’ua nisë qysh sot.
“Unë besoj që me krerët e partive opozitare duhet të takohemi dhe qysh sot do t’u dërgoj ftesa për t’u takuar qysh në fillim të javës së ardhshme”, deklaroi Kurti.
Ai tha se Kosovës tani më së paku i duhen zgjedhjet. Kurti theksoi se është e domosdoshme një marrëveshje me partitë opozitare për çështjen e presidentit.



