Gashi për vendimin e Kushtetueses: Mesazhi i qartë, ose konstituohet Kuvendi për 12 ditë ose zgjedhje

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës e Kushtetuese për konsituimin e Kuvendit, duke thënë se mesazhi i kësaj gjykate ishte i qartë, duke deklaruar se ‘‘Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb’’.
Tutje Gashi ka thënë se logjika kushtetuese është e qartë.
“Nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit kushtetues, ai shpërndahet dhe qytetarët vendosin përsëri në zgjedhje brenda 45 ditëve. Nuk ka më justifikime për bllokada politike”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë sot vendimin lidhur me konstituimin e Kuvendit. Mesazhi është i qartë: Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.
Nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit, Kuvendi ka vetëm 12 ditë kohë për ta përmbyllur procesin.
Gjykata i ka obliguar të gjithë deputetët që të ushtrojnë funksionin e tyre në interes të Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Logjika kushtetuese është e qartë: nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit kushtetues, ai shpërndahet dhe qytetarët vendosin përsëri në zgjedhje brenda 45 ditëve. Nuk ka më justifikime për bllokada politike.
Pra, rruga është e thjeshtë: ose konstituohet Kuvendi, ose vendi shkon në zgjedhje.