Ballina

Gazetari Kryeziu: Të drejtat e punëtorëve në rrezik – Inspektorati i Punës ende pa veprim ndaj Kanal10

Punëtorët e televizionit Kanal10, gazetari Naim Kryeziu dhe operatori i kamerës Fatos Rakovica vazhdojnë të përballen me shkelje serioze të të drejtave të tyre, ndërsa Inspektorati i Punës mbetet pasiv ndaj ankesave të ngritura. Pavarësisht një inspektimi të kryer javën e kaluar pas raportimeve për mos-ekzekutim të pagave për muajt shkurt dhe mars, institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë ende masa konkrete.

Kryeziu ka njoftuar se gjatë këtij inspektimi, Inspektorati ka kërkuar një sërë dokumentesh nga kompania, përfshirë:

  • Njoftimin dhe vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës,
  • Pagesat e realizuara gjatë tremujorit të fundit,
  • Vërejtjet e dhëna punonjësve,
  • Dëshmitë e largimit nga puna.

Por, përfaqësuesit e Kanal10 nuk kanë dorëzuar asnjë dokument, duke shpërfillur kërkesat zyrtare. Afati i caktuar nga Inspektorati për dorëzimin e dokumentacionit ishte deri më 5 maj 2025, një afat që ka kaluar pa ndonjë përgjigje nga kompania dhe, më shqetësuesja, pa asnjë veprim të mëtejmë nga Inspektorati i Punës.

Punonjësit e prekur e kanë cilësuar këtë heshtje si të papranueshme dhe të rrezikshme për të drejtat e tyre themelore, duke kërkuar reagim urgjent dhe transparent nga autoritetet.

“Ne presim që Inspektorati të përmbushë mandatin e tij ligjor për mbrojtjen e punëtorëve. Çdo vonesë është një padrejtësi që po i shtohet padrejtësisë sonë,” thuhet në reagimin e gazetarit Naim Kryeziu.

Kjo situatë ngre shqetësime të mëdha për funksionimin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen institucionale të punëtorëve, duke kërkuar vëmendjen e menjëhershme të opinionit publik dhe institucioneve përkatëse.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button