Gjashtë pacientë me lëndime të rënda po trajtohen në QKUK, si pasojë e përdorimit të fishekzjarreve

Gjashtë pacientë janë duke u trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike në QKUK për shkak të lëndimeve të rënda të duarve, të shkaktuara nga përdorimi i mjeteve piroteknike – kryesisht petardave – gjatë festave të fundvitit.
Nga Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës kanë njoftuar se gjatë festave të fundvitit, kanë trajtuar një numër të konsiderueshëm pacientësh të lënduar si pasojë e përdorimit të mjeteve të tilla.
Kryesisht personat e lënduar janë fëmijë dhe adoleshentë, ata kanë pësuar lëndime të duarve dhe fytyrës.
“Pjesa më e madhe e të lënduarve janë fëmijë dhe adoleshentë. Rastet e trajtuara në këtë klinikë kanë qenë kryesisht lëndime të duarve, veçanërisht të gishtërinjve, të cilat në disa raste kanë përfunduar me amputime të pjesshme apo të plota, si dhe me dëmtime serioze funksionale të aparatit tendinoz (tendinave te gjishtrinjëve të duarve). Po ashtu, janë regjistruar edhe lëndime në regjionin e fytyrës, të cilat kërkojnë trajtim të specializuar dhe mund të lënë pasoja estetike dhe funksionale afatgjata”, njofton ShSKUK.
Këto lëndime thuhet se shpesh shoqërohen me pasoja të përhershme funksionale dhe psikologjike, si dhe kërkojnë ndërhyrje të shumta kirurgjikale dhe rehabilitim afatgjatë.Klinika e Kirurgjisë Plastike u ka bërë thirrje prindërve, kujdestarëve dhe institucioneve përkatëse që të rrisin kontrollin dhe ndërgjegjësimin lidhur me rreziqet e përdorimit të mjeteve piroteknike, veçanërisht nga fëmijët.



