Gjykata Supreme lë në fuqi burgimin e përjetshëm për Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit

Gjykata Supreme e Kosovës ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqa për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në Ferizaj.

Kolegji gjyqësor, në seancën e mbajtur më 22 dhjetor 2025, ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit, duke lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykata Themelore në Ferizaj dhe atë të Gjykata e Apelit e Kosovës.

Sipas vendimit, gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë nuk kanë bërë shkelje esenciale të procedurës penale dhe kanë dhënë arsye të qarta për vendimmarrjen. Kolegji vlerësoi se provat e administruara, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizave, provat materiale dhe video-incizimet nga banesa ku kanë qëndruar i akuzuari dhe viktima, dëshmojnë se viktima ka pësuar lëndime të rënda si pasojë e veprimeve të dhunshme të të akuzuarit.

Bazuar në raportin e autopsisë dhe deklarimet e ekspertëve mjeko-ligjorë, vdekja e viktimës ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore (politraumë), të shkaktuara nga goditje me mjet të fortë. Gjykata ka konstatuar se viktima ka përjetuar dhimbje të rënda fizike, çka mbështet kualifikimin juridik të veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.

Po ashtu, janë shqyrtuar pretendimet e mbrojtjes lidhur me procedurën e rigjykimit, ekspertizën psikiatrike dhe pretendimet për ndikim të substancave narkotike, por ato janë vlerësuar si të pabazuara. Sipas raportit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, i akuzuari nuk ka pasur çrregullime psikotike dhe ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij.

Gjykata Supreme ka konstatuar se dënimi me burgim të përjetshëm është në përputhje me ligjin dhe me rrethanat e çështjes, duke marrë parasysh natyrën e rëndë të veprës, shkallën e përgjegjësisë penale dhe pasojat e saj.

Artikuj të tjerë

Back to top button