Gjykimi ka përfunduar, por Prokuroria e Hagës çon ende materiale – ankohet mbrojtja e Thaçit

Gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së ka përfunduar. 

Madje, edhe vetë gjyqtarët theksuan se asnjë material i ri nuk mund të dorëzohet, përveç në rrethana të jashtëzakonshme.

Pavarësisht kësaj, Prokuroria e Hagës ka vazhduar me deponimin e disa provave e dokumenteve lidhur me këtë rast.

Kjo bëhet e ditur në një ankesë që është dorëzuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit, raporton Nacionale.

Në ankesën e mbrojtjes së Thaçit thuhet se Prokuroria ka dorëzuar materiale më 4 mars, 10 mars dhe 11 mars, pavarësisht se gjykimi ka përfunduar. 

“Më 18 shkurt 2026, Trupi Gjykues e mbylli çështjen në përputhje me Rregullën 136 dhe deklaroi shprehimisht se “në përputhje me Rregullën 136, nuk mund të bëhen më paraqitje apo të dorëzohen prova të tjera para Trupit në këtë fazë, përveç në rrethana të jashtëzakonshme dhe kur ekziston arsye e justifikuar. Kjo, natyrisht, nuk përfshin çështjet që duhet të rishikohen rregullisht, siç është paraburgimi.”, thuhet në nisje të ankesës.

Sipas mbrojtjes, nuk lejohet që edhe më tutje të dërgohen prova të tilla.

“Për më tepër, arsyetimi në Vendimin Kornizë për t’i dhënë qasje Gjykatësit të Procedurës Paraprake (dhe më pas Trupit Gjykues) në nxjerrjet e materialeve sipas Rregullave 102 dhe 103 nuk vlen më. Gjykatësi i Procedurës Paraprake kishte konstatuar se duhej të merrte kopje të këtyre nxjerrjeve të materialeve për shkak të “detyrës së tij për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për përgatitjen e shpejtë të çështjes për gjykim” dhe për të siguruar që “provat relevante, qoftë ato të rëndësishme për përgatitjen e Mbrojtjes apo potencialisht shfajësuese, të zbulohen brenda afatit të caktuar.” Këto shqetësime nuk vlejnë më, duke qenë se procedurat tashmë janë mbyllur. Nëse ZPS-ja zbulon materiale shfajësuese që kërkojnë rihapjen e çështjes, i takon Mbrojtjes të paraqesë një kërkesë në përputhje me Rregullën 136 dhe të dëshmojë arsye të justifikuar dhe rrethana të jashtëzakonshme për pranimin e atij materiali si prove”, thuhet në këtë ankesë.

Si rezultat, mbrojtja e Thaçi ka pasur kërkesë direkte për gjyqtarët që të mos nxjerren prova të tjera.

“Për arsyet e sipërpërmendura, Mbrojtja i kërkon me respekt Trupit Gjykues që: TË URDHËROJË ZPS-në të mos bëjë zbulime të provave shtesë para Trupit Gjykues, qoftë përmes Legal Workflow apo ndryshe, përveç nëse mund të dëshmojë arsye të justifikuar dhe rrethana të jashtëzakonshme për ta bërë këtë”, thuhet në ankesën e mbrojtjes së Thaçit.

Artikuj të tjerë

Back to top button