Goditet rrjeti i drogës në Prizren i riu kapet me kokainë, marihuanë dhe armë zjarri në “Abi Qarshia”

Një aksion serioz policor është realizuar pasditen e 12 dhjetorit 2025 në Prizren, ku hetuesit e DHTN-së kanë arrestuar një person të dyshuar për trafikim narkotikësh dhe posedim të paautorizuar të armëve

Sipas informatave të siguruara nga burimet, rreth orës 14:50, në rrugën “Ekrem Rexha”, konkretisht në parkingun e Qendrës Tregtare “Abi Qarshia”, në kuadër të planit operativ “Rrjeta 2025–2026”, hetuesit kanë vërejtur një person që po bënte lëvizje të dyshimta.

I dyshuari, A.K, rreth 21-vjeçar, është ndaluar për kontroll, ku tek i njëjti janë gjetur substanca narkotike të llojit kokainë dhe marihuanë, si dhe një armë zjarri –pistoletë.

Pas arrestimit, është njoftuar Prokurori kujdestar për Krime të Rënda, nga i cili është marrë leje verbale për bastisje në banesën e të dyshuarit në rrugën “Edit Durham” në Prizren.

Gjatë kontrollit në banesë dhe në vendngjarje, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme dëshmish, përfshirë: Marihuanë me peshë 825.34 gram, e ndarë në doza dhe e gatshme për shitje, kokainë me peshë 0.64 gram, e ndarë në doza, nëntë ëmbëlsira (kekë/torta) të përgatitura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 257.03 gram, pistoletë e modelit P. Beretta cal. 7.65 mm, me një karikator dhe katër fishekë, një boks hekuri, para të gatshme në vlerë prej 680 euro, një peshore, dy telefona mobil, një veturë me targa vendore, 575 qese të zbrazëta për paketim të narkotikëve, foli alumini dhe materiale plastike për paketim.

Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Me urdhër të Prokurorit për Krime të Rënda, ndaj A.K është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh, nën dyshimin e arsyeshëm për kryerjen e veprave penale nga neni 267 dhe neni 366 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim dhe nuk përjashtohet mundësia e zgjerimit të tyre.

info@tandempress.net
Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button