Hamza: Ramiz Lladrovcin askush nuk e ka përjashtuar, ai vetë deklaron se është PDK

Kryetari i ri i PDK-së, Bedri Hamza, ka folur pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, ku u pyet edhe për Ramiz Lladrovcin.
Ai para gazetarëve tha se Lladrovci ka deklaruar se është PDK, dhe se kjo parti është unike dhe e bashkuar
“Partia Demokratike e Kosovës është e bashkuar dhe unike. Edhe në të kaluarën kam deklaruar se në Drenas, në mënyrë masive votohet për PDK-në. Ka pasur raste kur disa nuk janë pajtuar me këtë, por dihet se në zgjedhjet lokale në Drenas ka pasur gjithmonë gara të brendshme, për shkak të iniciativave dhe kandidaturave të ndryshme për kryetar të komunës. Ndërsa kur mbahen zgjedhjet qendrore, PDK del unike dhe e bashkuar”, tha Hamza.
Ai shtoi se anëtarësia e partisë do të punojë për ta maksimalizuar votën për Partinë Demokratike të Kosovës në Drenas, i cili tha se është një prej bastioneve të PDK-së dhe një nga komunat ku partia tradicionalisht fiton numër të madh votash.
“Këto çështje diskutohen në Kryesi, por kam bërë publike edhe takimin tim me zotin Lladrovci. Ai është kryetar i Komunës së Drenasit dhe vet ka deklaruar se ‘unë jam PDK’. Prandaj, pjesa dërrmuese e qytetarëve të Drenasit identifikohen me PDK-në”, deklaroi kreu i PDK-së.
I njëjti konfimoi se Ramiz Lladrovcin askush nuk e ka përjashtuar nga PDK-ja.
“Ramiz Lladrovcin kërkush nuk e ka përjashtuar nga PDK, unë nuk kam pa vendim që thotë se z.Lladrvoci nuk është PDK, nuk ka diçka të tillë brenda PDK, dhe jam i bindur se në të gjithë bashkë do garojmë dhe të maksimalizojmë votën për Partinë Demokratike të Kosovës”, tha Hamza në një konferencë për media



